Vetëm gjatë një dite, së paku 30 tonë perime – kryesisht domate, tranguj e speca – importohen nga Shqipëria në Kosovë. Por, analizat laboratorike për nivelin e nitrateve, mbetjeve të pesticideve dhe metaleve të rënda iu bëhen nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë vetëm në rastet kur kanë dyshime nga gjendja fizike.
“Produktet kanë qenë pa ndonjë ndryshim nga pikëpamja organoleptike. Ndërsa kur kemi dyshime i dërgojmë për analiza në Institutin Bujqësor të Kosovës, në Pejë”, tha Nedime Kalanderi, inspektore kufitare.
Profesori i Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, Skënder Kaqiu tregon se këto parametra është e pamundur të dallohen nga pamja e jashtme.
“Nuk ekziston ndonjë metodë vizuale mbi bazën e të cilës ne të themi se një produkt përmban më shumë apo më pak nitrate. Duhet të përdoren metoda dhe analiza standarde për përcaktimin e këtyre parametrave”, tha profesor Skënder Kaqiu.
Këto analiza nuk arrijnë të kryhen as në Shqipëri. “Top Story” solli dëshmi se laboratori për analiza i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë nuk është i akredituar. Në këtë mënyrë, në tregjet e Kosovës kanë hyrë nga viti 2018 perime në sasinë prej 23 milionë kilogramë.
Shqetësimet e konsumatorëve për cilësinë e prodhimeve u rritën në veçanti pas transmetimit të hulumtimit të “Top Story”-t për rrezikun nga ushqimi. Megjithëkëtë, në Agjencinë e Ushqimit thonë se të gjitha produktet që kontrollohen i përmbushin kriteret për konsum.
Top Channel