Çmimi prestigjioz “Spotlight Award”, i dhënë nga “Scottish Women in Business” shtetases nga Kosova, Remzije Zeka Sherifit, është një lajm i mirëpritur për komunitetin shqiptar në Britani, shpesh i paragjykar dhe anatemuar në medien britanike.
Remzije Zeka Sherifi, e cila jeton në Glasgow të Skocisë, fitoi për merita të veçanta, teksa konkurroi me 10 zonja mjaft të suksesshme dhe personalitete të jetës publike britanike për këtë çmim, e u vlerësua edhe me votën e publikut.
“Ky çmim ishte përtej pritshmërive të mia, e nomimuar mes grave të shquara dhe me famë botërore, Myrtle Simpson, eksploruese e Arktikut; baroneshën dhe profesoreshën e Kriminalistikës, Sue Black, e cila në vitin 1999 ka drejtuar ekipin e mjekëve të Kriminalistikës që kanë bërë identifikimin e viktimave në konfliktin në Kosovë; kritiken e Teatrit, Joyce McMillan; apo këngëtaren Horse McDonald”, tha ajo duke folur për Top Channel në Londër.
Remzije Sherifi është nga Gjilani dhe ka shkuar në Skoci në vitin 1999, kur u evakuua nga një kamp në Maqedoni. Deri në vitin 1992, kur u përjashtua nga puna, zonja Sherifi ka punuar si gazetare dhe producente në radio.
Në Skoci ajo ka pasur sukses të spikatur, duke e udhëhequr prej 16 vitesh Shoqatën “Maryhill Integration Network”, e cila merret me zbatimin e programeve që kanë të bëjnë me shëndetin, arsimin, artin dhe vallëzimin, e që kanë për qëllim afrimin e komuniteteve.
Ajo është themeluesja e produksionit ndërkombëtar të vallëzimit modern “Echo Production”, e ka hapur shumë ekspozita me temë nga Ballkani nëpër muzeumet e Skocisë, ku më e fundit është ajo e titulluar “Glasgow Life”, me eksponentë që përfaqësojnë komunitetet e ndryshme dhe veçanërisht ato shqiptare. Në vitin 2017, ajo u zgjodh në mesin e 10 grave të shquara të Skocisë.
Top Channel