Kur të gjithë palët e përfshira konfirmonin vazhdimin e aventurës në futboll dhe me një projekt të ri që do të afronte klubin me Ligën e Kampioneve, vjen edhe divorci i bujshëm në kampin e Juventus.

Ekipi kampion i Italisë ndau zyrtarisht rrugët me trajnerin Massimiliano Allegri pas 5 sezonesh të suksesshme.

Tekniku nga Toskana nuk do të jetë më në stolin e bardhezinjve në startin e sezonit të ardhshëm, pasi duket se bisedimet mes tij dhe presidentit Andrea Anjeli, nuk ecën në rrugën e pritshme.

Presidenti i Juventus dhe trajneri në largim do të jenë bashkarisht në konferencën për shtyp të shtunën në vigjiljen e ndeshjes ndaj Atalantës për të shpjeguar dhe motivet e shkëputjes së marrëveshjes.

Allegri fitoi 5 tituj radhazi dhe arriti dy herë në finalen e Champions, por ka drejtues dhe tifozë që nuk ia falin dështimin në Europë këtë vit, me lojtarin më të vlefshëm të ekipit, si Cristiano Ronaldo. Mbetet tani për tu përcaktuar tekniku i ri i torinezëve.

Ëndrra në sirtar është Pep Guardiola dhe presidenti i Juventus ka treguar se është i aftë për të tilla lëvizje surprizë, ashtu sic bëri kur bindi portugezin Ronaldo, kur askush nuk e priste.

Top Channel