A do të arrestohen në Serbi radikalët Vjerica Radeta dhe Petar Jojiq, të cilët duhet të dërgohen në Gjykatën e Hagës? Ata janë kolegë të dikurshëm të Vuçiqit.

“Çfarë do të ndodhë në të ardhmen dhe si do të reagojë Serbia, ky nuk është problemi im”, tha radikalja Vjerica Radeta para gazetarëve. Ajo dhe kolegu i saj Petar Jojiq nuk duan të shkojnë në Hagë vullnetarisht. Gjykata e Hagës, që është mekanizëm vazhdues i Tribunalit të Hagës për krime lufte, ka kërkuar të martën edhe një herë dorëzimin e tyre për shkak të “mos respektimit të gjykatës”.

Pas këtij formulimi juridik fshihet influencimi i pretenduar i procesit maratonik kundër shefit të radikalëve, Vojisllav Sheshel. Gjykata e Hagës pohon se Radeta dhe Jojiq i kanë frikësuar dhe u kanë dhënë ryshfet dëshmitarëve në vitin 2007 dhe 2008, me qëllim që të mos rëndojnë Sheshelin. I akuzuar për një vepër të këtillë ka qenë edhe Jovo Ostojiq, i cili ka vdekur në vitin 2017. Prokurorja Dajana Elis pohon se një nga dëshmitarët është paguar me 500 euro në muaj nga radikalët, për të dëshmuar në favor të Sheshelit.

Gjykata tani duhet të dëshmojë këto të dhëna, por është vendosur që procesi të mbahet në Hagë dhe jo në Beograd. Dëshmitarët kanë frikë për jetën, ndaj nuk duan të dëshmojnë në Beograd.

Mund të dënohen deri në shtatë vjet heqje lirie

Vjerica Radeta thotë se ajo nuk mund të paramendojë se dikush do të shkelë vendimin e gjykatave në Serbi dhe do ta ekstratojë ate dhe Jojiqin në Hagë. Por këtë çështje duhet ta zgjidhin autoritetet e Serbisë, thotë ajo.

Qeveria serbe dhe presidenti Aleksandar Vuçiq ende mund të heshtin, sepse ende është në fuqi vendimi i gjykatës serbe për krime lufte në Beograd ka vendosur në vitin 2016 se shtetasit e Serbisë mund të dorëzohen në Hagë vetëm nëse janë akuzuar për krime lufte, e jo edhe për mos respektimin e gjykatës. Tre radikalët janë akuzuar në vitin 2012. Me 2015 ëshë dërguar kërkesa për arrestimin e tyre, ndërsa një vit më vonë është lëshuar fletëarresti i kuq i Interpolit.

Mos respektimi i Tribunalit dënohet me heqje lirie deri në shtatë vite, me dënim financiar deri në 100.000 euro, apo të dyja. Por dënime të tilla nuk janë të rëndomta, sepse Shesheli nën akuza të njëjta është dënuar vetëm me 12 muaj burg. Para një viti Shesheli është dënuar me 10 vjet heqje lirie për krime kundër njerëzimit. Deputeti i radikalëve Vladimir Gjukanoviq pohon se “Serbia kurrsesi nuk duhet të respektojë kërkesat e Gjykatës në Hagë”.

Problemet e Vuçiqit

Ndaj shtrohet pyetja, si do të veprojnë autoritetet e Serbisë? “Vuçiqi do ta ketë shumë vështirë të ekstratojë radikalët”, pohon gazetarja e revistës NIN, Vera Didanoviq. „Vuçiqi për këtë mund të paguajë një çmim të lartë tek zgjedhësit e tij, të cilët mund ta akuzojnë për tradhti. Në Serbi është krijuar një atmosferë edhe më e keqe se ajo në vitin 90-të, sa i takon nacionalizmit dhe çështjeve që kanë të bëjnë me krimet e luftës, Tribunalin e Hagës dhe Perëndimit”, pohon Didanoviq.

Në sondazhet e Demostatit, thuhet se banorët e Serbisë janë të informuar shumë keq për punën e Tribunalit, sepse ata mendojnë se ai është i “njëanshëm”. Ndërkohë që Vuçiqi e ka mbështetjen pikërisht tek zgjedhësit e këtillë, mendon Vera Didanoviq. Kritikët thonë se Shesheli dhe Vuçiqi punojnë në harmoni, sepse Sheshelit i lejohet të marrë pjesë në debatet televizive pa pengesë, por ai nuk guxon të sulmojë pushtetin e tanishëm të Vuçiqit. Shesheli kështu ka mundësinë të mohojë krimet ndaj kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve, ndërkohë që disa deputete të opozitës qytetare i quan “kurva të ustashëve”.

Si dëshmi e një simbioze të këtillë të Sheshelit dhe Vuçiqit është edhe fakti që Shesheli ende ka imunitetin e deputetit, ndonëse është dënuar për krime lufte, që përjashton mundësinë e të qenurit deputet. Komisioni për mandate dhe imunitet është nën kontrollin e deputetëve të partisë së Vuçiqit.

“Vuçiqi ende ka një bashkëpunim të fuqishëm me radikalët”, thotë Didanoviq. „Mund të supozoj se radikalët e kushtëzojnë Vuçiqin me materiale komprimituese që i posedojnë, nëse ai punon kundër tyre. Ai po i shfrytëzon radikalët sikur Millosheviqi dikur – për të frikësuar Perëndimin se në Serbi ka edhe shumë më keq se politika e tij.” Influenca e radikalëve është margjinale, por ata kanë kapacitete të mëdha për incidente dhe skandale rajonale. Para 10 ditësh në vendin Hertkovci është mbajtur një kongres i radikalëve, ndërkohë që Shesheli është denuar pikërisht për krimet e bëra atje kundër kroatëve. Ndërsa Vjerica Radeta ka shkruar verën e kaluar një twitter me të cilin përqesh dhe mohon gjenocidin në Srebrenicë.

Roli i Tribunalit

Didanoviq mendon se mundësia që Radeta dhe Jojiq të dorëzohen në Hagë është shumë e vogël. “Ka kaluar koha e bashkëpunimit të plotë me Hagën, sepse ai nuk është më kusht për afrim me Bashkimin Evropian. Presionet e mëdha politike kanë rënë pas arrestimit dhe ekstradimit në Hagë të Radovan Karaxhiqit dhe Ratko Mlladiqit. Këto punë i ka kryer pushteti i mëparshëm, në kohën kur Vuçiqi i quante të dënuarit për krime dhe gjenocid si “heronj”.

“Mendoj se Perëndimi është sot shumë më i interesuar për Kosovën”, thotë Vera Didanoviq, e cila është e bindur se Perëndimi e di shumë mirë se çfarë po ndodh në Serbi në fushat e tjera. Por për shkak të rëndësisë së çështjes së Kosovës, perëndimorët janë të gatshëm të mbyllin një sy për zhvillimet në Serbi. Ndaj, si duket, Radeta dhe Jojiq do të mbeten deputetë në Serbi, ndonëse kërkohen nga gjykatat në Hagë./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA