Kryeministrja britanike, Theresa May është gati të vetësakrifikohet. Shefja e ekzekutivit në Britaninë e Madhe ka premtuar të përcaktojë afatet kohore për zgjedhjen e pasuesit të saj në qeveri, vetëm pasi të zhvillohet votimi i fundit për marrëveshjen e “Brexit”-it në javën e parë të qershorit.

Marrëveshja vjen pas një takimi mes kryeministres dhe deputetëve më të zëshëm të konservatorëve, të cilët kanë kërkuar një datë për largimin e saj nga “Downing Street”. Nëse ajo humbet votimin mbi planin e saj të “Brexit”-it, gjë që në fakt është refuzuar 3 herë deri më sot, burime të BBC-së kanë thënë se ajo do të japë dorëheqjen.

Ndërkohë, ish-Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson ka thënë se do të garojë për kreun e konservatorëve, pasi May të largohet.

Kryeministrja May i mbijetoi një mocioni mosbesimi nga deputetët konservatorë në fund të vitit të kaluar, e sipas rregulloreve të partisë, ajo nuk mund të sfidohet sërish deri në muajin dhjetor të këtij viti. Por May është vënë nën një presion gjithnjë e më të madh për t’u larguar nga pushteti këtë verë, jo vetëm për shkak të ngërçit mbi “Brexit”-in, por edhe për rezultatet e dobëta të konservatorëve në zgjedhjet e fundit lokale në Angli.

Kreu i një komiteti të rëndësishëm në Parlamentin britanik, Sir Graham Brady tha se kishte arritur një marrëveshje mbi të ardhmen e kryeministres, për të cilën do të diskutohet vetëm pas debateve dhe votimit të “projektligjit për marrëveshjen e shkëputjes” nga Bashkimi Europian në javën e parë të qershorit, duke nisur nga data 3 qershor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA