Pilotët e kompanisë ajrore amerikane “American Airlines” i kanë tërhequr vërejtjen prodhuesit Boeing në lidhje me sigurinë e avionëve të llojit 737 Max që në nëntor të vitit të kaluar, raportojnë mediat amerikane.
Ata kishin kërkuar ndërhyrje të shpejtë pasi një avion i tillë ishte rrëzuar në Indonezi në muajin tetor, duke shkaktuar vdekjen e të 189 njerëzve në bord, thonë CBS dhe “New York Times”.
Boeing raportohet se u ka rezistuar këtyre thirrjeve, por kishte premtuar rregullimin e software. Çështja, megjithatë, nuk ishte zgjidhur kur avioni 737 Max i kompanisë ajrore të Etiopisë u rrëzua në mars të këtij viti, duke shkaktuar vdekjen e të 157 njerëzve në bord.
Aktualisht, aeroplanët 737 Max janë hequr nga përdorimi në gjithë botën, për shkak të shqetësimeve se një defekt i sensorëve mund t’i ketë shkaktuar të dyja aksidentet.
Boeing është në proces të rregullimit të sistemit. Kompania nuk pranoi të komentojë mbi takimin e nëntorit, duke thënë: “Ne jemi të përqendruar në punën me pilotët, linjat ajrore dhe rregullatorët globalë për të certifikuar përditësimet e avionëve 737 Max dhe për të siguruar trajnime shtesë, në mënyrë që t’i rikthejmë këta avionë në fluturim”.
Top Channel