Një “koleksionues” oportunist shfrytëzoi një provë testuese për t’ia mbathur me një Ferrari, që vlen as më pak e as më shumë, por 2 milionë euro. I dyshuari kishte shprehur interesin për blerjen e prodhimit të vitit 1985, “Ferrari 288 GTO”, sipas asaj që bën të ditur policia në Düsseldorf të Gjermanisë.

Ai mbërriti me taksi deri tek ofruesi i automjetit dhe dy orë më vonë, gjatë provës testuese ishte koha perfekte për të “ndryshuar” shoferin. Menjëherë sapo shitësi doli nga automjeti, blerësi potencial i shkeli pedalin e gazit dhe u zhduk.

Automjeti u gjet, për fat të mirë, në një garazh. Sipas policisë, “automjeti historik” me 43 mijë km të përshkuara vlerësohet në mbi 2 milionë euro. Ndërkohë, të dhënat e publikuara në faqen e internetit të shitësit tregojnë se ajo makinë Ferrari i përkiste dikur ish-pilotit irlandezo-verior të Formulës 1, Eddie Irvine, i cili garoi për “kokëkuqen” italiane nga viti 1996 deri në 1999-n.

Makina të ngjashme nxirren shpesh në shitje, me çmime që variojnë rreth 1.5 apo 2 milionë paund, e zakonisht shiten përmes specialistëve të tregut apo nëpër shtëpitë e ankandeve si “Sotheby’s”.

Fatmirësisht për hetuesit, makina që s’kishte si të mos binte në sy, tërhoqi vëmendjen e kujtdo teksa lëvizte dhe shumë shpejt u gjet pasditen e së martës, pasi policia kishte bërë apel për dëshmitarë të mundshëm.

Fotografia e të dyshuarit në arrati

Ferrari u gjet i fshehur në një garazh në Grevenbroich, jo larg qendrës së Düsseldorfit, megjithatë, i dyshuari mbetet ende në arrati. Policia ka publikuar foton e tij teksa inspektonte automjetin luksoz përpara se të tentonte vjedhjen e tij. Në botë, vetëm 272 makina Ferrari të tipit “288 GTO” janë prodhuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA