Sulmet terroriste në Christchurch të Zelandës së Re, ku autori i ngjarjes së marsit që shkaktoi 51 të vdekur mundi të transmetonte “live” në rrjetin social Facebook “veprën” e tij, ka detyruar gjigantin e teknologjisë të kufizojë shërbimin “streaming”.
Vendimi është marrë përpara një samiti kundër ekstremizmit “online” në Paris, të thirrur pikërisht pas sulmeve në dy xhamitë e Christchurchit. Rrjeti më i madh social në botë ka shpallur politikën e ashtuquajtur “një shkelje, një ndalim” për ata që shkelin rregullat e reja të transmetimit “live” në Facebook.
Kryeministrja neozelandeze, Jacinda Ardern e ka quajtur këtë masë një “hap të parë të mirë”. Do të jetë pikërisht zonja Ardern, ajo që do të kryesojë samitin së bashku me presidentin francez, Emmanuel Macron. Ky samit synon të koordinojë përpjekjet ndërkombëtare për të ndalur përdorimin e medieve sociale për të organizuar apo promovuar terrorizmin.
Udhëheqës politik nga Europa, Kanadaja dhe Lindja e Mesme do të takohen me përfaqësues të lartë nga kompani të tilla si Facebook, Google dhe Twitter, sikurse pritet të ndërmarrin edhe veprime të përbashkëta për të eliminuar materialet terroriste.
Në një deklaratë, Facebook njofton se, kushdo që shpërndan “përmbajtje të dhunshme”, si për shembull një deklaratë nga një grup terrorist pa arsye apo shpjegim shoqërues, do të bllokohet nga përdorimi i shërbimit “Facebook Live” për një periudhë të caktuar 30-ditore. Pikërisht këtë kufizim, kompania pritet ta zgjerojë edhe në fusha të tjera të platformës gjatë javëve në vijim, përfshi këtu ndaj reklamuesve.
Facebook është zotuar të shpenzojë 7.5 milionë dollarë për një partneritet të ri kërkimor që do të kapte automatikisht përmbajtjet e ndaluara, pasi disa përdorues kanë mundur të tejkalojnë sistemet ekzistuese të identifikimit duke ngarkuar në rrjetin social versione të “redaktuara” të sulmeve në Christchurch.
Top Channel