Gjykata Europiane e Drejtësisë vendosi që edhe emigrantët, të cilët kanë kryer krime të rënda në disa rrethana të caktuara, nuk mund të ekstradohen. Por ata, gjithashtu, nuk kanë të drejtë për statusin e refugjatit në BE.
Shkak i këtij vendimi u bënë paditë e 3 azilkërkuesve nga Bregu i Fildishtë, Kongoja dhe Çeçenia, të cilëve Belgjika dhe Republika Çeke u patën refuzuar njohjen e statusit të refugjatit, pasi ishin dënuar për krime veçanërisht të rënda.
Gjykatës iu kërkua të sqaronte se heqja e këtij statusi sipas rregullave të Bashkimit Europian është në përputhje me Konventën e Gjenevës dhe të drejtat themelore të BE-së. Sipas gjykatës, kjo është në përputhje me këto rregulla, por ajo citoi Kartën e të Drejtave Themelore të bllokut, që thekson se njerëzit nuk duhet të ekstradohen në një vend ku i kërcënon tortura, apo dënimet çnjerëzore poshtëruese.
Sjellja e personit në fjalë, qoftë edhe ajo e kriminelit nuk ka rëndësi. Këtu mbrojtja e individit nga rregullat e BE-së shkon përtej Konventës së Refugjatëve. Gjykatësit ndërkohë theksuan se një person, të cilit nuk i miratohet kërkesa për marrje azili, ose të cilit i është hequr statusi i azilantit, nuk ka të drejta të njëjta si një refugjat i njohur zyrtarisht.
Top Channel