Presidenti amerikan Donald Trump e quajti “privilegjin” e tij të madh që i uroi mirëseardhjen në Shtëpinë e Bardhë ambasadorëve dhe diplomatëve nga vendet me shumicë myslimane për një darke iftari, vakti që shënon fundin e ditës së agjërimit gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.
Presidenti amerikan e quajti këtë të fundit një `”kohë bamirësie”, dhënieje dhe shërbimi të qytetarëve`”, si dhe një moment për afrimin e familjeve e komuniteteve.
“Ka qenë një periudhë e vështirë kjo për njerëzit e besimeve të ndryshme me sulme vdekjeprurëse ndaj myslimanëve, të krishterëve dhe hebrenjve në Zelandën e Re, Sri Lanka e SHBA. Ne themi që do t’i mposhtim të këqijat e terrorizmit dhe persekutimin fetar në mënyrë që të gjithë njerëzit të adhurojnë pa frikë, të luten pa rrezik dhe të jetojnë me besimin që rrjedh nga zemra e tyre”, tha Trump.
Presidenti bëri më tej thirrje për lutje për “një të ardhme ne harmoni dhe paqe”. Në darkën e iftarit mori pjesë dhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, e cila sqaroi në rrjetet sociale se i ka treguar shefit të shtëpisë së bardhë që në shtetin laik të Kosovës, ka një kulturë tolerance dhe harmoni mes feve. Po ashtu, e njoftova në detaje mbi sfidat me të cilat përballemi aktualisht dhe biseduam mbi domosdoshmërinë e përfshirjes së drejtpërdrejtë të SHBA-ve në proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi ynë i ri”, ka shkruar ajo. Në fotografitë e postuara nga Çitaku, shihet se ishte e ulur pranë presidentit Trump.
Top Channel