Në studion e “Top Talk” ishte i ftuar Sekretari i Grupit Parlamentar të PS, Ervin Bushati, i cili duke folur për rrugën që kanë zgjedhur PD-LSI, u shpreh se nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës.
Sipas Bushatit, kontestime për rezultatin ka edhe në SHBA, Angli apo edhe Itali, por opozita nuk sillet kështu.
“Opozita nuk ka braktisur Parlamentin as në Venezuelë, as në Zimbabve, as në Mianmar, pra as në vende që s’janë nën vëzhgimin e OSBE/ODIHR. S’mund të ndodhë”, tha ai, duke shtuar më tej gjatë intervistës se “kontestime për rezultatin ka edhe në SHBA, Angli apo edhe Itali, por opozita nuk sillet kështu”.
Por megjithatë, Ervin Bushati shprehet se ka besim se PD-LSI, do ta gjejnë një format për të marrë pjesë në zgjedhje.
“Pjesa e opozitës që përfaqësohet nga Basha dhe Kryemadhi do të hyjë në Zgjedhje. Do ta gjejë një format për të hyrë në zgjedhje”, tha ai, duke shtuar se “Në një botë perfekte ne do të donim të merrnin pjesë në zgjedhje, sepse do t’i mundim paq. Do fitonim të gjitha bashkitë. Kjo është edhe arsyeja se përse Basha nuk hyn në zgjedhje. Nëse do merrnin pjesë në zgjedhje, edhe kandidatët tanë do të kishin një garë më të ndershme, një mandat më të fuqishëm”.
Top Channel