Skuadra e Luftëtarit ka vendosur në mënyrë të befasishme të shkarkojë trajnerin Julian Ahmataj, e së bashku me të edhe zëvendësin e tij, Neritan Novi.
Për një afat dyjavor janë pezulluar gjithashtu edhe futbollistët titullarë, Albano Aleksi dhe braziliani Xhekson. Arsyeja duket të jetë humbja e ndeshjes së dytë ndaj Tiranës, që solli eliminimin nga Kupa e Shqipërisë.
Një ndeshje që ka një javë që ka përfunduar, ndaj ky vendim duket tepër i çuditshëm dhe dyshues për të qenë një argument i tillë.
Gjithsesi, i kontaktuar nga Top Channel, trajneri Julian Ahmataj thekson se nuk ka asnjë vendim dhe as komunikim zyrtar me shkresë për këtë lajm, i cili qarkullon si një shkresë e klubit gjirokastrit.
Klubi i Luftëtarit pezullon trajnerin Ahmataj dhe 2 titullarë
Nën drejtimin e Julian Ahmatajt, që nga muaji shkurt e deri më tani, skuadra e Luftëtarit ka grumbulluar 26 pikë, duke qenë shumë pranë sigurimit të qëndrimit në Kategorinë Superiore. Gjithashtu, ai arriti deri në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë.
Ndërkohë në kampionat, ndeshja e fundit e Luftëtarit ishte një fitore surprizë ndaj skuadrës së vendit të dytë në klasifikim, Kukësit.
Top Channel