“Eurovision”, Izraeli “pushtohet” nga turistët. Shqipëria përfaqësohet nga Jonida Maliqi

14/05/2019 18:22

Tel Avivi i Izraelit po përgatitet për “Eurovision”-in e 2019-s. Edicioni i sivjetshëm i Festivalit europian të Këngës është zhvendosur në Izrael, pas fitores së edicionit të shkuar nga Neta me këngën e saj “Toy”.

Shqipëria përfaqësohet nga Jonida Maliqi, me këngën “Ktheju Tokës”, e në provat e para në Tel Aviv kënga dhe performanca janë pritur mirë.

“Eurovision”-i i sivjetshëm ka qenë në fakt jo pak i polemizuar, për shkak të vendit ku ai mbahet. Kanë qenë të shumta apelet drejtuar konkurrentëve dhe transmetuesve për bojkot të tij, për shkak të rekordit të debatueshëm të Izraelit për të drejtat e njeriut.

Në janar, disa personalitete britanike, mes të cilëve Dama Vivienne Westwood, Peter Gabriel, etj., nënshkruan një letër ku i kërkonin BBC-së të anulonte transmetimin e edicionit të sivjetshëm. Ata kritikonin Izraelin në lidhje me pushtimin e territoreve palestineze.

Ndërkohë që edhe performanca e Madonnës në “Eurovision” është vënë në dyshim nga organizatorët, që thonë se ajo ende nuk ka nënshkruar një kontratë.

“Kemi ardhur në Tel Aviv për Eurovisionin. E bëjmë këtë çdo vit, vjet ishim në Lisbonë. Kemi filluar në vitin 2013 me Malmon. Jemi shumë të kënaqur që jemi këtu në Izrael, pasi në këtë kohë të vitit, këtu ka edhe shumë diell”, tha Kai, një turist gjerman.

Sigurisht, turistët i janë sulur Tel Avivit për të marrë pjesë në natën finale të “Eurovision”-it, me vendin që shpreson se festa e përvitshme e muzikës do të ndihmojë në përmirësimin e imazhit të tij, pavarësisht apeleve për bojkot.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA