Një hetim ndërkombëtar përfundoi me arrestimin e 7 shtetasve shqiptarë, në Francë dhe Shqipëri, të akuzuar për vjedhje me forcë të rreth 70 apartamenteve në zonën e Nancy-t, në tre-mujorin e fundit të vitit 2018.
Vlera e sendeve të vjedhura përllogaritet në rreth 300 mijë euro dhe përfshirë bizhuteri, sende me vlerë dhe para cash.
Rezultatet e operacionit u bënë publike në një konferencë të posaçme për median pasditen e së Hënës, organizuar në Nancy, nga kryeprokurori i rajonit, Fransua Perain (François Pérain) dhe prokurori shqiptar, Besim Hajdarmataj.
Prokurori francez e konsideroi rast të suksesshëm bashkëpunimin me autoritetet shqiptare për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të dyshuar.
Prokurori Hajdarmataj e vlerësoi këtë operacion si “një sinjal të qartë për grupet kriminale shqiptare që e konsiderojnë Shqipërinë si një vend ku mund të fshehin gjurmët e krimeve të kryera në Francë”.
Në bazë të hetimit, në Francë u arrestuan 4 anëtarë të familjes Kajtazi, të drejtuar nga Arif Kajtazi, të cilët janë rezidentë prej vitesh në rajonin e Nancy-t.
Ndërsa në Shqipëri, me urdhër të prokurorit Besim Hajdarmataj u ndaluan Besnik Fufi, Alfons Perloka dhe Aleks Marku. Për këta persona, gjykata për Krime të Rënda ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”.
Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale të “vjedhjes”, “pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “grupi i strukturuar kriminal.
Në bazë të hetimeve të përbashkëta franko-shqiptare rezulton se familja Kajtazi u siguronte Fufit, Perlokës dhe Markut banesën dhe mjetet për realizimin e vjedhjeve. Tre të arrestuarit në Shqipëri, pasi kryenin vjedhjet në Francë, riktheheshin në qytetin e tyre, në Laç, ku depozitonin sendet e grabitura.
Grupi i shqiptarëve ra në gjurmë të autoriteteve policore, pasi kishin nisur hetimet për vjedhje në seri të kryera në rajonin e Nansy-t, në Francë, por edhe në Belgjikë e Itali.
Arrestimi i 7 personave të dyshuar u realizua në mënyrë të njëkohshme në Francë dhe në Shqipëri. Për shkak të mungesës së marrëveshjes së ekstradimit, tre të arrestuarit në Shqipëri do të gjykohen nga Gjykata për Krime të Rënda. Ndërsa 4 shqiptarët e arrestuar në Francë pritet të gjykohen nga autoritetet gjyqësore të Nancy-t.
Top Channel