Në ambientet e “Hotel Tiranës” u zhvillua një tryezë konsultimi mes ministres së Arsimit, Besa Shahini, dhe drejtuesve të federatave sportive në vend, në lidhje me ndryshimet e reja në Kodin Penal në kuadër të luftës ndaj dhunës në sport.

Ministrja Shahini theksoi në fjalën e saj se, masat e marra deri tani kanë qenë të pamjaftueshme dhe renditi një sërë propozimesh për ashpërsimin e masave, ndaj atyre që shkaktojnë dhunë në sport.

“Goditja apo forma të tjera të dhunës ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive dënohet me burgim nga një deri në 3 vite. Kur kjo vepër penale kryhet në mjediset sportive më shumë se një herë, apo është kryer nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në 5 vite. Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja dhe përdorimi i lëndëve piroteknike”, tha Besa Shahini, ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Një tjetër temë që u përmend në këtë tryezë nga presidentët e federatave dhe zëvendësministri Shkurti ishte edhe ajo e problemeve financiare, duke vënë në shënjestër të kritikave Ministrinë e Financave.

“Jemi në bisedime me Ministrinë e Financës sepse s’po gjejmë të mesmen e përbashkët për këtë problem. Ata duan që përsëri ta kthejnë ligjin si të ishte një xhaketë e kthyeshme, ndërsa ne kemi propozuar…”, tha Shkurti, zv.ministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, përpara se të ndërpritej nga ministrja Shahini që këtë diskutim ta linin për një tryezë tjetër, pasi sipas saj ishin mbledhur për dhunën.

Padyshim tha fjalën e tij edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili vuri theksin në mungesën e një institucioni specifik vetëm për sportin.

“Mendoj që vartësia, apo mënyra sesi Shqipëria do ta drejtojë sportin nëpërmjet një Ministrie duket disi e vështirë. Shqipëria duhet të ketë patjetër një institucion, i cili përgjigjet vetëm për sportin, nëqoftëse gjithmonë Shqipëria e ka vullnetin për të pasur sport”, tha Armand Duka, president i FSHF-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA