Në vitin 2021 do të startojë Botërori i ri i Klubeve, që do të zhvillohet në harkun kohor 17 qershor-4 korrik.
Tashmë është përcaktuar edhe formati i ri i turneut, me Europën që do të ketë më shumë përfaqësues, plot 8 skuadra, pasi do të marrin pjesë fitueset e Champions League dhe Europa League në 4 sezonet e fundit.
Amerika e Jugut do të ketë 6 skuadra; Afrika, Azia e Amerika e Veriut dhe ajo Qendrore do të kenë nga 3 ekipe secila; ndërkohë që një skuadër do të ketë nga Oqeania.
Nëse një skuadër ka fituar më shumë se një herë në secilën prej këtyre sezoneve, atëherë vendin do ta marrë skuadra që e ndjek në klasifikim në çdo kontinent. “Superbotërori i Klubeve” ka 24 skuadra pjesëmarrëse, që do të ndahen në 8 grupe me 3 ekipe secila, e skuadrat e vendeve të para do të kualifikohen për në çerekfinale.
Për edicionin e parë të “Superbotërorit të Klubeve” janë të kualifikuara Reali i Madridit dhe Atletico Madrid, fitues të kompeticioneve europiane në vitin 2018; më pas do të jenë Liverpool/Tottenham dhe Arsenal/Chelsea, skuadrat që kanë pushtuar finalet e Championsit dhe Europa League këtë vit.
Pjesa tjetër e skuadrave do të përcaktohen nga dy edicionet e radhës së këtyre kompeticioneve. E njëjta formulë përcaktohet edhe për Amerikën e Jugut, me Gremion dhe River Platen që janë të kualifikuara, si kampione të Kupës Libertadores.
Ajo që nuk dihet në këtë pikë është vendi ku do të zhvillohet Botërorit i Klubeve, me Katarin të përjashtuar në këtë aspekt, ndërkohë që Japonia duket se është një prej pretendenteve për të pritur këtë turne.
Top Channel