Gianluigi Buffon nuk ka ndërmend të tërhiqet nga futbolli dhe dëshiron të luajë të paktën edhe për një sezon tjetër, pak rëndësi ka nëse do të jetë me Paris Saint-Germainin apo diku tjetër.
Portieri italian, që në janar festoi 41-vjetorin e tij të lindjes, ka padyshim si prioritet klubin francez, por deklaratat e fundit të trajnerit Tuchel të lënë të mendosh se për të nuk do të ketë rinovim të kontratës nga ana e transalpinëve, që do të thotë se në qershor Buffon do të jetë i lirë të nënshkruajë cilëndo skuadër tjetër.
Në fakt, në drejtim të Buffon nuk mungojnë ofertat, madje ato kanë ardhur edhe nga ekipe që sezonin e ardhshëm do të luajnë në Champons League. Sipas “Gazzetta dello Sport”, besimi te PSG-ja është totalisht për Areolën, ndërkohë që pritet edhe rikthimi i Trapp nga Eintracht i Frankfurtit, kështu që për italianin ngushtohen ndjeshëm hapësirat në skuadër.
Pikërisht për këtë arsye, Buffon po shqyrton çdo opsion, sidomos ato që i japin mundësinë që të luajë në turneun më të rëndësishëm europian për klube, siç është Championsi, një ndër të paktët trofe që mungon në “palmares”-in e pasur të portierit legjendar italian.
Top Channel