Një histori prekëse dhe plot shpresë për jetën mbylli puntatën e sotme të programit “Dua të të bëj të lumtur”.
Kjo ishte historia e Blerinës e cila prej disa kohësh po luftonte me një sëmundje të rënde, tumorrin. Në studio kishte ardhur vajza e saj, Iljada e cila rrëfeu kalvarin e vuajteve dhe luftën e vazhdueshme të Blerinës me tumorrin.
Në moshën 18-vjeçare Blerina ishte njohur me bashkëshortin e saj me të cilin kishte tri fëmijë. Jeta nuk ishte treguar bujare me çiftin pasi gjithmonë ata ishin përballur me vështirësitë ekonomike. Gjithmonë Blerina dhe bashkëshorti i saj ishin munduar që fëmijëve të tyrë të mos u mungonte asgjë, madje ata kishin nisur që të ndërtonin një shtëpi të re. Fatkeqësisht ëndrra e tyre ishte ndërprerë përshkak të sëmundjes së Blerinës.
Iljada i ishte drejtuar programit “Dua të të bëj të lumtur” për t’i shprehur nënës së saj dashurinë dhe për ta bërë të lumtur. “Duhet të bëhesh e fortë për të gjithë ne sepse kemi nevojë për ty! Shpresoj që të jesh e lumtur më shumë se kurrë! Të dua shumë”, ishte mesazhi i Iljadës për Blerinën.
Për herë të parë moderatorja e programit, Arbana Osmani ndau me publikun historinë e nënës së saj e cila kishte luftuar me këtë sëmundje të rëndë. E përlotur moderatorja tregoi se si ishte ndjerë gjatë asaj periudhe dhe i kërkoi Blerinës që t’i premtonte fëmijëve se nuk do të largohej kurrë.
E ftuara surprizë për Blerinën ishe këngëtarja ikonë e muzikës shqiptare, Irma Libohova e cila i’u drejtua me këto fjalë: “Thonë që kur njeriu humbet shpresën i ka humbur të tëra, prandaj duhet të jesh plot shpresë sepse gjithçka kalon. Të uroj të jesh gjithmonë e fortë!”
Top Channel