Ora 18: 30 e të shtunës do ta gjej përsëri opozitën përpara kryeministrisë duke protestuar. Sikurse edhe për protestat e shkuara Ambasada e SHBA në Tiranë ka kërkuar që kjo protestë të jetë paqësore dhe larg akteve të dhunës. E drejta për t’u përfshirë në protesta paqësore thuhet në fillim të deklaratës  është një e drejtë themelore demokratike.

“Përgjatë muajve të fundit, pjesa më e madhe e pjesëmarrësve kanë ushtruar të drejtën e tyre për të protestuar paqësisht. Megjithatë, në çastin kur një protestë paqësore njolloset nga një akt dhune, qoftë edhe nga një individ, qëllimi demokratik i protestës komprometohet”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane.

Përfaqësia e SHBA në Tiranë ka këtë mesazh për ata që do të protestojnë të shtunën.

“Është e paligjshme dhe jo demokratike të kryesh akte dhune, përfshirë edhe shkatërrimin e pronës. Iu bëjmë thirrje të gjithë personave të përfshirë në protestën e së shtunës që të refuzojnë dhunën për të siguruar një protestë paqësore dhe konstruktive”, vijon njoftimi.

E dërguara me punë e SHBA në Tiranë Leyla  Moses-Ones, paraditen e të premtes, zhvilloi  një takim 60 minutësh,  në Kryesinë e Kuvendit me deputeten Rudina Hajdari. Leyla  Moses-Ones nuk preferoi të bënte asnjë koment në dalje nga Kryesia e Kuvendit. Por Rudina Hajdari e pyetur nga Top Channel se çfarë u bisedua në këtë takim  tha :-“Diskutimi u përqendrua në çështjen e Reformës Zgjedhore si dhe mbështetjen për vazhdimin e reformës në Drejtësi si pjesë e detyrave për integrimin e Shqipërisë në Bashkimit Europian. Zv ambasadorja shprehu mbështetjen e plotë për Opozitën Parlamentare dhe veprimtarinë e saj në kuadër të përmirësimit të sistemit politik.”

Takimi zonjës Leyla  Moses-Ones me përfaqësues të opozitës së re siç ishte takimi sotëm me Rudina Hajdarin nuk është i pari. Mësohet se gjatë ditëve të shkuara ajo si edhe përfaqësues të stafit politik të kësaj ambasade, janë  takuar edhe me përfaqësues të grupit parlamentar të pavarur ku janë grupuar deputetët që vinë nga listat e LSI. Opozita e Re e cila është përqendruar në ndryshimin e sistemit zgjedhor ka gjetur përkrahjen e ndërkombëtarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA