Fronti Demokratik opozitar në Malin e Zi ka paralajmëruar se dënimi i udhëheqësve të tij rrezikon destabilizimin e pandreqshëm të vendit. Opozita malazeze është ankuar se organi i akuzës ngriti një gjyq politik dhe se qeveria mbështeti një gjueti shtrigash.

Edhe gjatë procesit gjyqësor në mars, udhëheqësi opozitar prorus Andrija Mandiç e akuzoi presidentin Milo Gjukanoviç, që në kohën e puçit ishte kryeministër, se ka përfituar nga vala e histerisë antiruse siç e quajti ai, për të sulmuar kundërshtarët e vet politikë.

“Pa këtë të ashtuquajtur grusht shteti, – pati thënë Mandiç, – regjimi i tanishëm, me të gjitha gjasat do të kishte qenë në opozitë”.

Por sot, Andrija Mandiç dhe Milan Knezeviç, të dy udhëheqës të Frontit Demokratik, u shpallën fajtorë bashkë me 12 persona të tjerë për “përpjekje për terrorizëm” dhe për “krijimin e një organizate kriminale” tetorin e vitit 2016, me qëllim rrëzimin e dhunshëm të qeverisë malazeze dhe parandalimin e anëtarësimit të vendit në NATO.

Ata u dënuan me nga 5 vite heqje lirie. Dënime janë dhënë edhe për një shtetas tjetër malazez, 9 shtetas serbë dhe dy oficerë të dyshuar të shërbimeve sekrete ushtarake ruse. Rusët Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov u dënuan në mungesë përkatësisht me 15 dhe 12 vite burgim.

Politikanët malazezë Mandiç dhe Knezeviç pritet ta apelojnë vendimin. Gjykata e Lartë e Malit të Zi doli në përfundimin se grupi kishte komplotuar të pushtonte Parlamentin gjatë zgjedhjeve parlamentare të 2016-s, të eliminonte Gjukanoviçin dhe të instalonte një lidership prorus.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA