“Il Trovatore”, produksioni ndërkombëtar i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, përcolli emocione të mëdha në premierën absolute mbajtur në Pallatin e Kongreseve, në Ditën e Europës.

“Il Trovatore”, pjesë e trilogjisë popullore verdiane, erdhi në formën e saj, sa më afër atmosferës së Spanjës të shekullit të XV. Kostumet dhe skenografia, së bashku me regjinë e kuruar të Mariano Bauduin dhe nën dirigjimin e Sebastiano Rolli, ndihmuan në të gjithë këtë.

Eva Golemi, Vikena Kamenica, Dario di Vietra, etj., interpretuan përgjatë të katërta akteve historinë e Leonorës, Azuenës, Manricos dhe Kontit di Luna. Një histori që bën bashkë urrejtjen dhe dashurinë.

Libreti në 4 akte është marrë nga drama “El Trovador” e autorit Antonio Garcia Gutierrez.

Vet Verdi, veç të tjerash ndërhyri personalisht në vargjet finale, duke i shkurtuar. Në kronikën e kohës, Julian Budden shprehej se, me asnjë nga veprat e tij, madje as me “Nabucco”, Verdi nuk arriti të prekë kaq shpejt zemrën e publikut.

Pjesëmarrëse në këtë premierë ishte edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini. “Il Trovatore” do të vazhdojë shfaqjet e saj deri më 11 maj, në Pallatin e Kongreseve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA