Një gjykatë në Mal të Zi ka dënuar me pesë vite burg dy politikanë të opozitës pro rusë, nën akuzat se janë përpjekur të rrëzojnë qeverinë në tetor 2016. Gjykata po ashtu shpalli fajtor edhe 12 persona të tjerë, mes të cilëve dy rusë, që supozohet se ishin agjentë të shërbimit sekret GRU, dhe që u gjykuan në mungesë.
Prokurorët thanë se komplotuesit kishin mbështetjen e Kremlinit për të vrarë kryeministrin e atëhershëm Milo Gjukanovic dhe për të bllokuar anëtarësimin në NATO. Opozita malazeze ka hedhur poshtë akuzat duke aluduar se bëhej fjalë për një operacion të fabrikuar që kishte si qëllim mbajtjen e Gjukanovicit në pushtet. Ky i fundit, tani është president i vendit.
Përveç dy liderëve të opozitës, të akuzuar ishin edhe një malazez, nëntë serbë dhe dy rusë. Këta të fundit, Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, kanë marrë edhe dënimet më të rënda me 12 dhe 15 vite burg. Opozitarët e dënuar janë Andrija Mandic dhe Milan Knezevic, deputetë të aleancës fronti demokratik.
Prokurori Milivoje Katnic tha se ishte planifikuar që me një snajper të vritej kryeministri pro perëndimor Milo Gjukanovic në ditën e zgjedhjeve. Komplotuesit më pas do të hynin me forcë në parlament dhe të sillnin në pushtet një qeveri pro ruse. Pas arrestimeve në tetor 2016, Gjukanovic tha se rreth 125 mijë euro ishin gjetur në kuadër të hetimeve për komplotin, bashkë me uniforma ushtarake. Rusia e quan anëtarësimin e malit të zi në NATO, dëmtues për stabilitetin e Ballkanit dhe Evropës.
Top Channel