Gjendemi në Shkollën e Magjistraturës, në portën kryesore dhe të vetme nga hyjnë prokurorët dhe gjyqtarët apo ndihmësit ligjorë dhe këshilltarët. Në kushtet kur nga vetting-u deri më tani janë shkarkuar 52 njerëz të drejtësisë dhe janë konfirmuar në detyrë 56 të tjerë, Shkolla e Magjistraturës ka ndryshuar strategji dhe ka shumëfishuar numrin e kandidatëve që do të jenë magjistratët e ardhshëm.

Ndryshe nga çdo vit i mëparshëm akademik, ku numri i magjistratëve ka qenë i ulët, 57 të rinj janë shpallur fitues pas dy testeve të para dhe pritet që përpara se të fillojnë magjistraturën të kalojnë në filtrin e fundit që është testimi psikologjik. Por, ndonëse ata konsiderohen fitues, ata nuk do të ulen në auditorë pa iu nënshtruar edhe vetting-ut, një proces ky që do t’i vendosë kadidatët në sitat e kontrollit të pasurive dhe të pastërtisë së figurës.

Gjatë një interviste për Top Channel, drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushi tregon arsyet e këtij vetting-u: “Para se të futesh kalon në vetting dhe para se të diplomohesh kalon në një vetting të dytë. Pra, në sistem do të hyjnë me një skanim të plotë nga organet përkatëse”.

Por, ndërkohë drejtësia po boshatiset nga vetting-u dhe magjistratët e rinj janë shpresa e vetme për të mbushur vendet vakante.

Numri total i njerëzve të drejtësisë që janë vendosur nën vetting prej një viti është 794 persona, prej të cilëve 373 gjyqtarë dhe 326 prokurorë, ndërsa pjesa tjetër janë ndihmës ligjorë dhe inspektorë të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA