Në zonën e Kodrës së Kuqe, në fund të kësaj rrugice, familja Hasanaj ka hapur dyert e mortit, pasi vajza e tyre, Zarife Hasanaj ka humbur jetën në detyrë, gjatë misionit ushtarak në Letoni. Ndërkohë që në banesën e saj gjenden forca të shumta të policisë ushtarake.

Teksa familjarët prisnin që në qershor, 32-vjeçarja të kthehej nga misioni, mëngjesi i të hënës i ka tronditur dhe u ka shuar lutjet. Trupi i efektives Hasanaj mbërrin të enjten në Tiranë, kur edhe do mbahet ceremonia mortore në Babrru.

Lajmi ka rënduar edhe gjendjen shëndetësore të nënës së nëntetares. Dhe gjithashtu dhimbja e vajzës së xhaxhait, po ushtarake, teksa takon kolegët që shprehin ngushëllimet.

Ndërsa shoqja e saj ushtarake Fjoralba Tuci shkruan për Top Channel si e ka njohur efektiven Hasanaj: “Zarifen e kam njohur në punë. Mbaj mend kur erdhi për herë të parë tek ne, në 2014. Unë atëherë isha shefe sektori. Ajo ishte e shkathët, e guximshme, me energji. Në mision iku me dëshirën e saj, kishte shumë qejf këto misione te vështira, se ishte si tip djali. I kishte të gjitha cilësitë”.

Të plagosur gjatë misionit në bazën e NATO-s mbetën edhe dy efektivë të tjerë të Forcave të Armatosura, dy kryefamiljarë. Mësohet se ushtaraku Kapaj ka një dëmtim të lehtë në këmbë, ndërsa Tanushi po i nënshtrohet një operacioni.

Major Klodian Tanushi dhe rreshter Julian Kapaj, që jetojnë të dy në të njëjtën lagje, në zonën e Freskut, gjenden në kujdesin maksimal të mjekëve në bazën Camp Adaz, në Letoni. Ndërkohë që lajmin ua kanë dhënë vetë përfaqësuesit e Forcave të Armatosura.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA