Shefja e re kreative e Chanel, Virginie Viard, prezantoi koleksionin e saj të parë solo për firmën luksoze franceze të modës, duke ecur në gjurmët e Karl Lagerfeldit, me një “show” të frymëzuar nga udhëtimet me tren.
“Gati për t’u ngjitur në bordin e Chanel Express” ishte motoja e eventit që pushtoi hollin e madh të Grand Palais në Paris, të preferuarin e Lagerfeldit.
Për këtë koleksion, Viard, bashkëpunëtore e ngushtë e Lagerfeldit që ndërroi jetë në muajin shkurt, e mbajti të gjallë trashëgiminë e tij si në nivel stili, ashtu dhe në perfomancën në pasarelë, duke prezantuar një linjë plot ngjyra, por edhe kostume bardhë e zi, e fustane të mrekullueshme të gjata me rrudha.
Ishte një “shoë” ku nuk mungoi bollëku i aksesorëve, të cilët përfshinin varëset me perla, zinxhirët e rëndë në qafë, byzylykët e plotë që binin menjëherë në sy apo dhe rripat elegante.
Pjesëmarrësit e përshkruan si një arsenal të vërtetë stilesh, ku me modernen shkrihej hijeshia dhe eleganca karakteristike e Chanel-it.
Disa burime ndërkohë i kishin thënë më parë agjencisë së lajmeve Reuters, se Viard ishte e përkohshme në këtë post dhe se një tjetër emër i rëndësishëm mund të caktohet në krye të markës ikonë të krijuar nga Gabrielle “Coco” Chanel në vitin 1910.
Top Channel