“Fqinjët” vepra e shkruar nga Ruzhdi Pulaha është rikthyer në teatrin e Gjirokastrës këtë fundjavë. Me në qendër jetën e një familjeje të emigruar shqiptare në Greqi tragjikomedia sjell aspekte mjaft reale të përditshmërisë së emigrantëve, transformimit nën presionin e mungesës së dokumenteve, realitete të reja dhe të vjetra.
Dashuria e Markos, djalit të familjes greke ku është punësuar familja e Borës, vajzës shqiptare që i ka rrëmbyer zemrën, është edhe kryefjala e ngjarjes ku zhvillohet konflikti.
Drama që përshkon të gjithë veprën përtej nuancave të humorit është ajo e Brengës njerëzore prej ndarjes, mbështetja që njerëzit ofrojnë për njerëzit e fqinjët për fqinjët. Ngjarjet reale e kanë frymëzuar edhe veprën thotë Rapo Kapurani ndërsa aktorët që janë qytetarë të zakonshëm jashtë skene kanë sjellë emocionet e përjetimeve personale.
Liljana Ristani që luan rolin e një gjysheje greke thotë se materiali për t’i dhënë karakter rolit vjen nga e përditshmja dhe nga rrëfimet e emigranteve.
Tragjikomedia do të udhëtojë në disa skena kombëtare përgjatë vitit 2019 pasi rezultoi një prej pjesëve më të mira të vëna në skenë.
Regjisori Milto Kutali rikthehet në Gjirokastër pas 40 vjetësh ndërsa aktorja Mimoza Lluri u rikthye në teatër pas 27 vitesh.
Top Channel