Tirana nuk i harron heronjtë e saj! Bashkia rehabiliton Varrezat e Dëshmorëve

03/05/2019 10:28

Në prag të 5 majit, Ditës së Dëshmorëve, Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit ka ndërhyrë në pllakat te sipërfaqet e ndryshme në Varrezat e Dëshmorëve, për pastrimin e mbetjeve, për ndriçimin e pllakave, për shtimin e hapësirave të gjelbra, vendosjen e luleve dhe rregullimin e ndriçimit.

Punonjësit e Bashkisë kanë punuar për kurimin e bimësisë dhe të dekoracionit, duke zbukuruar shtëpinë e përjetshme të atyre që dhanë jetën për Shqipërinë!

“Mirënjohës çdo ditë për sakrificat e dëshmorëve, që e sollën Tiranën e Shqipërinë në ditët e sotme! Shihemi më 5 Maj, ku na presin dhjetëra aktivitete për të gjitha moshat te sheshi ‘Skënderbej’, bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’, sheshi ‘Nënë Tereza’ dhe Parku i Liqenit”, shkruan Veliaj në rrjetet sociale.

Ky 5 Maj i Ditës së Dëshmorëve do të jetë jo vetëm një moment, gjatë të cilit do të kujtohet vepra dhe sakrifica e atyre që dhanë jetën për të pasur një Shqipëri të lirë dhe më të mirë, por edhe një ditë feste dhe pa makina në Tiranë.

Bashkia e Tiranës, përveç homazheve në të gjitha varrezat e dëshmorëve, ka organizuar edhe një numër të madh dhe të larmishëm aktivitetesh festive, ku mund të gjejnë veten të gjitha moshat, nga më të vegjlit deri te më të moshuarit dhe nostalgjikët e viteve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë.

Sheshi “Skënderbej”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Rinia” dhe Parku i Madh i Liqenit Artificial të Tiranës do të ofrojnë lojëra, muzikë dhe ritëm pa fund nga orët e para të mëngjesit e deri në mbrëmje. Në këto aktivitete do ta gjejnë veten edhe më të rriturit, të cilët do kenë mundësi të ndjekin koncerte muzikore të gjimnazistëve të Tiranës dhe Ansamblit të qytetit. Kënde të veçanta i janë kushtuar edhe nostalgjikëve të viteve të luftës, të cilët do kenë mundësi të ndjekin filma apo dokumentar me tematikë të zgjedhur nga lufta për çlirimin e vendit.

Nuk do mungojnë në këtë ditë as panairet e produkteve vendase apo edhe ekspozime të mjeteve të Ministrisë së Brendshme apo asaj të Mbrojtjes.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel