Ata ishin të parët që kritikuan pa frerë punën e bërë nga Jose Mourinho në stolin e Manchester United, të parët që kërkuan “gijotinën” publike për trajnerin e “Djajve të kuq” që në vështirësitë e fillimit.
Me shkarkimin e bujshëm të para pak muajve të teknikut luzitan, ky i fundit nuk i kurseu sulmet ndaj dy legjendave të “Old Trafford”, Paul Scholes dhe Gary Neville, opinionistë nga ekrani i vogël për platformat më të njohura sportive.
Sipas Mourinhos, të dy ish-lojtarët e kanë provuar edhe vet të jenë trajnerë dhe kanë dështuar në çdo aspekt.
“Është totalisht diçka tjetër, kur je përpara televizorit dhe analizon një ndeshje, duke dhënë opsione sesi të jetë formacioni. Këto vendime, kur je në pankinë, a mund të merren me të njëjtën qetësi, të jesh analist i zoti, të lexosh lojën dhe të jesh mjaftueshëm i guximshëm për të përballuar presionin?”, pyeti me ironi Mourinho.
“Ata e kanë provuar të jenë trajnerë dhe në më pak se dy muaj u kanë thënë mirupafshim klubeve”, tha Mourinho, që u shkarkua në dhjetor nga Manchester United. Në sulmin e tij ishin Neville, që u shkarkua pa asnjë rezultat nga Valencia në vitin 2016, e Paul Scholes, që mbijetoi vetëm një muaj në stolin e Oldhamit.
Top Channel