Kategoria Superiore do të zhvillojë këtë të shtunë ndeshjet e programuara të javës së 32-të, në të njëjtën orë, me frikën se aleancat e zakonshme të fundsezonit dhe ekipet e përfshira në objektiva të drejtpërdrejta mund të ndikojnë garën.
Partizani, që synon të afrohet edhe më shumë me titullin, do të impenjohet në një fushë të vështirë, si ajo e Vlorës. Flamurtari përfaqëson aktualisht vendin e fundit kualifikues në kupat europiane, e bregdetarët nuk do të duan ta lëshojnë, pavarësisht rezultateve të ndjekësve.
Pozicionet e kreut intrigohen edhe më shumë me tripikëshin në tavolinë që merr Kukësi për dënimin e Kamzës.
Më poshtë në renditje, Teuta vendoset përballë Luftëtarit, dy ekipe me objektiva të ndryshëm. Nga njëra anë durrsakët synojnë të rimarrin pozicionin që i çon në Europa League, e nga ana tjetër gjirokastritët që synojnë pikët e nevojshme për mbijetesë. Teuta nuk fiton prej më shumë se një muaji dhe kjo është reflektuar ndjeshëm.
Tirana, me makthin e rënies nga Superiorja do të luajë në Korçë ndaj Skënderbeut, e veç vështirësisë së kundërshtarit, bardheblutë duhet të llogarisin edhe mungesat. Kërçiku, Karabeci dhe Imami janë të padisponueshëm.
Një betejë e fortë pritet të zhvillohet edhe mes Laçit dhe Kastriotit, me kurbinasit që nuk e kanë humbur shpresën për turnetë kontinentalë, ndërsa krutanët mbeten ekipi më i kuotuar për të braktisur elitën e futbollit shqiptar.
Top Channel