Antonio Conte, Pep Guardiola, Mauricio Pochettino janë vetëm 3 nga trajnerët më të kërkuar në futbollin europian, por për një motiv apo një tjetër janë përfolur me transferimin në skuadrat italiane.
Ajo që pengon, veç ambicieve për trofe të limituara në futbollin e Apenineve, është edhe aspekti ekonomik për emra që kanë paga të çmendura dhe jo të përballueshme për të gjithë në Serie A.
Për Conten kanë qenë të vazhdueshme hipotezat që e lidhin me Interin, Romën e Milanin, madje me alternime në garën virtuale, të cilës vet protagonisti nuk i është përgjigjur asnjëherë siç duhet.
Guardiola është përfolur si pasues i Allegrit te Juventusi, ndërsa argjentinasi i Tottenhamit ka qenë në negociata me kuqezinjtë e Milanit. Por, nëse më parë ka qenë problem edhe çështja financiare, tani me të ashtuquajturin “dekret i rritjes” në Itali ndryshojnë llogaritë.
Normativa parashikon një taksim më të lehtë për “të riatdhesuarit”, ata që nga 1 maji transferohen në Itali, edhe pse në dy vite e fundit nuk kanë banuar atje. Ata do të taksohen vetëm 30% për fitimet, me detyrimin për të punuar në Itali për 24 muaj.
Conte, Guardiola dhe Pocchettino do të përfitonin kështu për të marrë më shumë parà, gjithmonë nëse dikush do t’i bindë këtë verë me një projekt ambicioz dhe të denjë në lartësinë e tyre.
Top Channel