Arsenal dhe Chelsea kanë shansin të vendosin një dominim totalisht anglez në Europa League, pasi janë kthyer në favorite për të shkuar në sfidën e fundit të turneut më të vogël kontinental për klube.
Në “Emirates Stadium” u zhvillua një betejë e fortë mes Arsenal dhe Valencias që në fund i dha suksesin londinezëve 3-1, por nuk ofron asnjë siguri për kualifikimin.
Pas vetëm 11 minutash lojë, ekipi vendas u befasua nga rrjeta e Diakabi, i aftë të shënonte me kokë nga distancë e afërt pas krosimit të Rodrigos. Në këtë rast, pesha e fajit bie mbi Granit Xhakën. Por, Arsenal arriti të barazojë shumë shpejt, kur një aksion i bukur në sulm nga Aubameyang i dha rolin më të lehtë sulmuesit Lacazzette që konvertoi manovrën në gol. Sulmuesi francez bëri më të mirën edhe në një krosim në zonë, kur tundi rrjetën me kokë duke përmbysur gjithçka. Në fraksionin e dytë asgjë nuk ndryshoi, madje në fundin e sfidës Aubameyang shënoi golin e tretë me një të djathtë fluturuese. Në kthimin në stadiumin “Mestalla” Arsenal do të mbrojë avantazhin që i jep finalen.
Eintracht Frankfurt nuk e shfrytëzoi atmosferën elektrizuese të tifozëve në shtëpi, duke barazuar 1-1 ndaj Chelsea. Luka Jovic prishi fillimisht ekuilibrat për vendasit. Talenti që kërkohet nga gjysma e Europës nuk i dha asnjë shans portierit në goditjen e tij me kokë në një pozicion të vështirë, por pak para pushimit shifrat ndryshuan sërish.
Loftus-Cheek bëri një punë fantastike në një kundërsulm të Chelsea para se t’i jepte mundësinë Pedro Rodriguez të shënonte, thuajse me një penallti në lëvizje. Në kthimin në “Stamford Bridge”, Chelsea-t i mjafton një barazim pa gola për të shkuar në finale.
Top Channel