Rakia është pije e shumadhuruar në Ballkan, por pjesëmarrësit e një konkursi të saj në Serbi duhet të pijnë shumë, nëse duan të shpallen fitues.
“Nuk është për njerëzit me zemër të dobët”, thonë ata, teksa ekipet 4-pjesëtarëshe përgatiten të rrëkëllejnë një litër për 15 minuta. Por, në fund, duhet të kryejnë edhe disa detyra të tjera, si të ecin mbi një tra prej druri pa u rrëzuar.
“Juria e zgjedh skuadrën fituese bazuar në shpejtësinë e anëtarëve, por edhe gjendjen e përgjithshme e mundësisht edhe humorin”, shpjegon Ljiljana Braloviç, një prej themeluesve të këtij festivali të mbajtur prej 16 vitesh në fshatin Pranjani.
Me dhjetëra banorë të zonës mblidhen të shohin me kureshti garën e veçantë. Secili ekip ka edhe një anëtar të pestë, i cili duhet të hedhë rakinë duke u kujdesur që ajo të mos derdhet, e më pas të çojë shokët në shtëpi.
“Niveli i alkoolit që përmban rakia e blerë në dyqan shkon te 40%, por tek ajo e prodhuar në shtëpi mund të shkojë dukshëm më lart sesa kaq”, thotë AFP, që kujton sesi distilimi mund të bëhet nga disa fruta, ku kryesor mbetet rrushi, por preferenca ka edhe për kumbullat, dardhat apo ftonjtë.
Top Channel