Pas viteve të vështira që pasuan shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, studiot ruse të filmave të animuara po rikthehen në qendër të vëmendjes, e me një sukses të jashtëzakonshëm jashtë kufijve, sidomos në Azi, ndërsa kanë vulosur kontrata edhe me gjigantin amerikan, “Netflix”.

Prova më e mirë për këtë mund të konsiderohet “Masha dhe Ariu”, historia e vogëlushes mjaft të këndshme, por pak trazovaçe, e ariut miqësor ish-yll të cirkut, e cila është kthyer që prej vitit 2009 në një hit botëror.

Studioja shtetërore “Parovoz” është ajo që ka ngjallur në mënyrë të veçante interesin e “Netflix”-it, e që praktikisht është vendosur në krye të rivitalizimit të industrisë vendase të animacionit. Krijimi më i ri është “Fantasy Patrol”. Me dhjetëra grafistë janë duke punuar për skenat e fundit të filmit mjaft të pëlqyer vizatimor.

Autoritetet ruse janë investuar shumë fort këto vitet e fundit në sektorin e animacionit, që ashtu si mjaft të tjerë, doli i rrënuar nga rrëzimi i Bashkimi Sovjetik në vitin 1991. “Parovoz”, nga 20 punonjës që shënonte fillimisht, tani numëron mbi 300, ndërsa serialiet e animuara të saj transmetohen në 55 shtete.

Për shefin ekzekutiv, Anton Smetankin, bëhet fjalë për produkte që i përshtaten çdo tregu. Këtë e pohon dhe drejtori artistik, Yevgeny Golovin.

“Ne kemi marrë më të mirën e shkollës ruse të animacionit. Filmat tanë janë të mbushur me mirësi dhe mund të ndiqen nga fëmijë të çdo moshe”, tha Yevgeny Golovin, drejtor artistik.

Studioja ka firmosur gjithashtu edhe dy kontrata me Kinën, e disa projekte të saj janë dubluar e përshtatur për tregun kinez.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA