Njerëzit me probleme të rënda mbipeshe në moshën e mesme kanë 50% më shumë gjasa që të vdesin më shpejt.
“Presioni i lartë i gjakut dhe diabeti i tipit 2 renditen në mesin e rreziqeve që sjell obeziteti, sidomos te kjo grupmoshë”, tregon studimi i fundit i bazuar në të dhënat e 2.8 milionë pacientëve.
Ai u prezantua në Kongresin europian të Obezitetit në Glasgoë, si një tregues i masës në të cilën mund të ndikojë realisht mbipesha te shëndeti i njerëzve në realitet, e jo thjesht ashtu siç e tregojnë eksperimentet klinike.
Edhe ata që mund të ishin më pak obezë sesa të tjerët, krahasuar me personat që kanë peshë normale, përballeshin sërish me një rrezik dy herë më të lartë për presion të shtuar të gjakut, probleme me zemrën dhe një rrezik 6 herë më të lartë për apne të gjumit, çrregullimin që shkakton ndalim dhe fillim të frymëmarrjes në mënyrë të përsëritur gjatë gjumit.
Studimi u krye nga “Novo Nordisk”, kompania farmaceutike daneze që prodhon insulinë për diabetikët. “Njerëzit duhet ta dinë se çfarë ndikimi të jashtëzakonshëm ka mbipesha te shëndeti”, thonë drejtues të saj, të cilët këmbëngulin që personat me probleme obeziteti të kontrollohen te mjeku për të parë nëse kanë nisur ndërkohë t’iu zhvillohen sëmundje të tilla.
Top Channel