Kishat katolike në Sri Lankë janë të mbyllura sot, një javë pas sulmeve në tre hotele e tre kisha që lanë më shumë se 250 të vrarë.
Besimtarët ndoqën sot meshë përmes një transmetimi televiziv.
Presidenti Maithripala Sirisena dhe kryeministri Ranil Wickremesinghe morën pjesë në meshë në një kishë të vogël brenda rezidencës së kardinalit.
Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmet e Pashkës të dielën e kaluar. Kjo organizatë thotë gjithashtu se operativët e saj ishin autorët e sulmeve vetëvrasëse dje në një shtëpi që shërbente si bazë e saj, pas përleshjeve me forcat e sigurisë. Nga shpërthimet mbetën të vrarë 15 vetë, përfshirë gjashtë fëmijë.
Agjencia e lajmeve Reuters njofton se tre të dyshuarit për vetëvrasje dje ishin babai dhe dy vëllezërit e Zahran Hashimit, i cili besohet se organizoi sulmet e së dielës së kaluar.
Sipas zyrtarëve sri lankas, Zahran Hashimi mbeti i vrarë nga shpërthimi në hotelin Shangri-La.
Policia thotë se ka arrestuar dy të dyshuar lidhur me sulmet e Pashkës.
Presidenti ka shpallur të jashtëligjshme dy grupe që dyshohen për organizimin e sulmeve të javës së kaluar.
Top Channel