Ka përfunduar pa fitues derbi i Italisë mes Interit dhe Juventusit, teksa perlës së Radja Nainggolan iu kundërpërgjigj goleadori bardhezi, Ronaldo, për të fiksuar rezultatin final 1-1.

Sfida nisi me mjaft vrull për zikaltrit, që arritën ët zhbllokojnë rezultatin që në minutën e 7, pas një goli spektakolar të Radja Nainggolan.

Pas një goditjeje nga këndi, topi u largua nga mbrojtja e Juves, por Politano e riktheu te mesfushori belg, i cili gjuajti menjëherë fluturimthi, duke mposhtur portierin Szczesny.

Të besuarit e Spallettit nuk e ulën ritmin dhe zhvendosën lojën në gjysmëfushën e kampionëve të saposhpallur të Italisë, por Szczesny dhe fati u mohuan golat e tjerë.

Juventusi u zgjua vetëm në pjesën e dytë, kur pas disa aksioneve radhazi, gjetën golin e barazimit me Cristiano Ronaldon, i cili shtangu portierin Handanoviç me një gjuajtje tokazi.

Më pas Spalletti kreu të tre zëvendësimet për të freskuar skuadrën dhe zikaltrit zhvendosën sërish lojën në gjysmëfushën e Juves, por bardhezinjtë ia dolën të mbrohen mjaft mirë.

Mundësinë më të mirë e pati Joao Mario, i cili gjuajti fort nga brenda zonës, por nuk arriti të kalojë portierin polak të Juventusit, i cili grushtoi në këndore dhe bëri që sfida të mbyllej në barazim.

Ky rezultat ngjit Interin në kuotën e 62 pikëve, por komplikon rrugën e zikaltërve drejt Champions Leagues, pasi në rast fitoreje të Milanit dhe Atalantës nesër, gjithçka do të rihapej.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA