UEFA është treguar shumë e ashpër, e jo ndaj një futbollisti dosido, por një ikone të futbollit të kohëve të sotme, brazilianit Neymar.
Sulmuesi i Parisit dhe “Seleçao”-s shpërtheu në rrjetet sociale pas humbjes së PSG-së përballë Manchester United në turet me eliminim të drejtpërdrejtë të Champions League.
Komisioni i Disiplinës së UEFA-s ka skualifikuar brazilianin për plot 3 javë, për ato që i quan “akte sulmuese dhe ofenduese ndaj zyrtarëve të ndeshjes”.
Një ndëshkim i ashpër ky për një futbollist klasi, për të cilin PSG-ja pagoi plot 222 milionë euro për ta rrëmbyer nga Barcelona, vetëm sepse drejtoi gishtin e akuzës ndaj arbitrit të asaj ndeshjeje, Damir Skomina, e po ashtu edhe ndaj Massimiliano Irrati, specialistit që kujdeset për videoarbitrazhin “VAR”, për shkak të 11-metërshit të akorduar në favor të “djajve të kuq” pas prekjes së topit me dorë nga Kimpembe.
“Ky është një turp i vërtetë. Vendosin njerëz që nuk kuptojnë nga futbolli, të kontrollojnë pamjet filmike. Nuk ekziston! SI mundet një futbollist të godasë topin me dorë, nëse kthehet me shpatulla? Vafshi në djall…”, shkruante Neymar në profilin e tij në Instagram.
Një shpërthim dufi që tashmë do t’i kushtojë 3 ndeshje “pit stop”, që korrespondojnë me fillimin e edicionit të ri në shtator të këtij viti.
Top Channel