Demokratja Jorida Tabaku ka akuzuar sërish qeverinë. Sipas saj keqpërdorimi i pronave publike dhe abuzimi me pronën private ka qenë një nga cilësitë e qeverisë Rama.
“Arkitektura me të cilën, djallëzisht, Rama ka vendosur të ndërtojë këtë institucion që nuk është as publik dhe as privat i jep shansin vetëm oligarkëve për të përfituar drejtë për drejtë nga qokat e qeverisë. Sipas draft ligjit të Korporatës së Investimeve Strategjike, që është depozituar në parlament, qeveria i jep të drejtën vetes që të transferojë pronat nën pushtetin lokal pa marrë parasysh autonominë vendore”, shkruan ajo në facebook.
Postimi
NDAL VJEDHJES ME LIGJ TË PRONËS PUBLIKE DHE PRIVATE!
Keqpërdorimi i pronave publike dhe abuzimi me pronën private ka qenë një nga cilësitë e qeverisë Rama. Arnimet e ndryshme ligjore që ajo ka ndërmarrë për të përmbushur kriteret e panegociueshme të Komisionit Europian mbi të drejtën e pronësisë, nuk i ka penguar që të prodhojnë ligje kryekëput klienteliste dhe anti-kapitaliste.
Partia Demokratike ka mbi dy muaj që denoncon Ligjin e Investimeve Strategjike, jo vetëm si një shkelje e hapur e kushtetutës dhe e të paktën 3 ligjeve të tjera por dhe si cënim i të drejtave të njeriut dhe si një nga prioritete bazë për procesin e integrimit.
Ky ligj dorëzon çelësat e pronave të gjithë Shqipërisë (pa marrë parasysh nëse janë publike apo private) kryetarit të kësaj Korporate, kryeministrit. Dhe ka në thelb një dëshirë për të centralizuar të gjitha mjetet e zhvillimit dhe prodhimit, në pak fjalë ka si synim krijimin e një komunizmi por të një lloji tjetër.
Arkitektura me të cilën, djallëzisht, Rama ka vendosur të ndërtojë këtë institucion që nuk është as publik dhe as privat i jep shansin vetëm oligarkëve për të përfituar drejtë për drejtë nga qokat e qeverisë. Sipas draft ligjit të Korporatës së Investimeve Strategjike, që është depozituar në parlament, qeveria i jep të drejtën vetes që të transferojë pronat nën pushtetin lokal pa marrë parasysh autonominë vendore.
Imagjinoni një pronë në qendër të Tiranës apo në një zonë bregdetare, sipas projektligjit qeverisë i lind e drejta që t’ia marrë këtë pronë pushtetit lokal pa pasur nevojën e votimit me 2/3 në Këshillin bashkiak. Pra, pronari i vërtetë i tokave në Shqipëri është kryeministri i vendit, as këshilli bashkiak dhe as Parlamenti i Shqipërisë.
Sakaq kjo do të thotë që prona publike i transferohet pa kushte një personi juridik, subjekt i të drejtës private. Në pak fjalë shteti duke shkelur të gjitha ligjet dhe normat kushtetuese vendos t’i falë një pronë publike një kompanie private, duke anashkaluar ccdo procedurë ligjore.
Së dyti, duke qenë se KISH është produkt hibrid, ai transformon edhe logjikën e buxhetit të shtetit. Pasi sipas draft ligjit, Korporata ndonëse nuk është një institucion plotësisht shtetëror, ka të drejtë të marrë fonde edhe nga buxheti i shtetit. Apo ka të drejtë që pronat publike që i merr në inventar sipas asaj që përmendëm më sipër, t’i tjetërsojë apo t’i përdorë si kolateral apo edhe t’i punojë me të ardhruat që do të marrë nga buxheti i shtetit.
Duke tjetërsuar një parim kyç të buxhetit të shtetit: mospërdorimin e fondeve buxhetore për shpenzime që nuk janë brenda fushës së shpenzimeve publike. Në pak fjalë, buxheti i shtetit bëhet arka në të cilën kryeministri dhe oligarkët përmes kësaj korporate mund të fusin dorën sa herë që duan pa pyetur askënd dhe pa i dhënë llogari askujt.
Gjatë kësaj kohe Partia Demoraktike ka informuar partnerët ndërkombëtarë për këtë paketë ligjesh grabitqare që nuk janë në të mirë të interesit publik. Janë të paktën 3 ligje dhe disa VKM që janë hartuar vetëm për ti ardhur në ndihmë një grupi njerëzish pranë kryeministrit duke krijuar një skemë piramidale me pronat publike që nuk e ka përjetuar asnjë vend ish komunist më parë.
Kuvendi dje kishte për të diskutuar në komisione këtë draft ligjor por diskutimet nuk kanë ndodhur.
Shqipëria po i drejtohet një diktature që do të ndryshojë për keq jetët e shqiptarëve. Jeta e tyre nuk do të ndikohet tanimë nga propaganda e vazhdueshme dhe e dëmshme për sistemin nervor që shet qeveria. Më e keqja pritet të ndodhë kur qeveria përmes këtij draft ligji (shih nenin 7/ pika dh) të trajtojë pronat publike si të jenë pronat e tyre të cilat baballarët e tyre ua kanë lënë në trashëgimi. Ndërsa proanrëve të vërtetë u pengohet regjistrimi i pronave të tyre në kadastra, si për të rikujtuar edhe një herë parimin e famshëm marksist-leninist “Shtetëzimin e të gjithë mjeteve të prodhimit” që kësaj radhe mund të adaptohet në “korporatizimin e të gjithë pronave për ndërtim”!
Sa nuk është vonë të tërhiqen!
Top Channel