Kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani shfrytëzoi tryezën për institucionet e reja të reformës në drejtësi për t’iu bërë apel 60 institucioneve publike dhe subjekteve private që të dorëzojnë sa më shpejt pranë KED-së informacionet për 42 kandidatët që garojnë drejt Gjykatës Kushtetuese.
Dvorani theksoi se KED ka nisur verifikimin e kandidatëve në fillim të prillit mbi pasuritë, integritetin moral dhe profesional, pavarësisht kontrolleve që po kryejnë institucionet ligjzbatuese.
Krahas kontrolleve ndaj garuesve për në Gjykatën Kushtetuese që ka mbetur prej muajsh me vetëm një anëtar, nën të njëjtat verifikime janë vendosur edhe 10 kandidatët për Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, institucionit që ende nuk ekziston.
Nëse ato do t’i përgjigjen kërkesave të KED-së për të dhëna dhe informacione lidhur me kandidatët, jo vetëm me saktësi dhe cilësinë e kërkuar nga ligji, por edhe në kohën më të shpejtë të mundshme, KED do të ketë mundësinë që në javët e ardhshme, pse jo, edhe brenda muajit maj 2019, të dërgojë para organeve të emërtesës, Kuvendit dhe Presidentit, listat e kandidatëve, mes të cilëve këto institucione janë të detyruar të zgjedhin gjyqtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.
KED duhet të rendisë 18 emra për Gjykatën Kushtetuese dhe 5 të tjerë për Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, të cilët më pas duhet të votohen, çka do të sillte ringritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe lindjen e ILD-së. Por, kreu i Komitetit Shqiptar të Helsinkit thotë se ngërçi për mbushjen e këtyre institucioneve erdhën nga dy standartazime, përderisa ndaj dy KED të mëparshme u kërkua vendosja e anëtarëve nën vetting.
Por, për KED-në e tretë nuk u lexua kështu ligji dhe e gjitha kjo solli boshatisjen dhe vështirësinë për Gjykatën Kushtetuese dhe ILD-në.
Megjithatë, Dvorani insiston se KED-ja e tretë do t’ia japë sa më shpejt Parlamentit listën e më të mirëve për në GJK dhe ILD.
Kjo shpejtësi do të varet në mënyrë vendimtare nga angazhimi, përgjegjshmëria dhe shpejtësia e reagimit të institucioneve publike të ngarkuara me detyra kontrolli, si edhe nga subjektet private, veçanërisht ato të sistemit bankar, shoqërive financiare etj. Një pjesë e këtyre institucioneve publike dhe subjekteve private tashmë kanë kthyer përgjigjet dhe dërguar informacionet përkatëse.
Top Channel