Fjalët e kryeministrit Rama nga foltorja e Kuvendit u risollën në vëmendje të Monika Kryemadhit edhe gjatë emisionit “Open” të Eni Vasilit mbrëmjen e kësaj të enjteje në ekranin e Top Channel.
Kryeministri i kujtoi përfaqësuesve të opozitës që kanë kërcënuar se do të pengojnë zgjedhjet lokale të 30 qershorit, të quajtura farsë sipas tyre, se do të përballen me ligjin.
Por, Kryemadhi u shpreh se ky nuk është aspak kërcënim për të, përkundrazi e ktheu në humor teksa bëri batutën e radhës: Ajo femra që ka në krah dhe që i sheh filxhanin i ka thënë që është një femër që po ta nxin jetën.
Në vazhdim, Kryemadhi deklaroi në “Open” se Rama do të përballet shumë shpejt me fakte të reja sesi ka tentuar blerjen e deputetëve të opozitës, duke iu referuar këtu kandidatëve për deputetë nga listat e PD-së apo LSI-së, që hynë në Kuvendin e Shqipërisë si deputetë pas djegies së mandateve nga opozita e bashkuar.
Top Channel