Opozita bllokoi akset kombëtare duke filluar nga ora 18 e mbrëmjes së kësaj të enjteje, duke shënuar kështu ndryshim strategjie krahasuar me protestat që zhvillonte para Kuvendit apo Kryeministrisë sa herë që kishte seanca plenare, apo edhe në protestat kombëtare.
“Ne nuk pamë qytetarë të irrituar, përkundrazi ishin solidarë. Pamë shumë makina që kishin hapur krahun në anë të rrugës, duke treguar solidaritet. Ky është një nga hapat që ka hedhur opozita, e do të ketë vazhdimësinë e saj. Gjithçka është në bazë të një strategjie dhe plani, që do të jetë i befasishëm. Pse? Sepse kryeministri është larguar gjithnjë sa herë ka pasur protesta dhe nuk ka tentuar të qëndrojë e të përballet me njerëzit. Kjo tregon frikën që ka ai, ose s’do të përballet me opinionin mbi këtë situatë”, tha Monika Kryemadhi.
Ajo tha se në të kaluarën, kryeministrat nuk janë larguar por kanë qëndruar në zyrat e tyre.
“Kjo është një zgjedhje e gabuar e Ramës, pasi një ditë ai do të përballet me njerëzit”, tha më tej kryetarja e LSI-së.
Kryemadhi tha se është çështje e Ramës nëse ikën apo nuk ikën, por “çdo ditë që ai qëndron, fati i tij bëhet gjithnjë e më i zi, meqë i ka qejf këto fallxhoret”.
Top Channel