Nga Flutura Açka

“Roja i dritës”, është vëllimi më i fundit poetik, i Flutura Açkës, e cila e paraqiti denjësisht atë në Panairin e 21 –të të Librit, në Tiranë. Për Fluturën, ky vëllim ka qenë një pikëtakim me lexuesin pas dhimbjes së madhe që ajo provoi pasi humbi djalin e saj të vetëm, në betejën me sëmundjen e rrallë.

GJYSMËFJETUR
Të këqyr,
ti krijesë e bukur gjysmëfjetur,
kërcënuar nga copëjeta.
E përkryer je,
e trëndafilta e buzëve,
spikama e syve,
hiri i shenjave,
burrësimi akut,
e xhelozon dhe bukurinë.
Vetëm unë trembem,
kjo botë është më e thjeshtë,
se jotja, e përkryera ekzistencë!

Sa t’du!
Portreti më i bukur që dizenjoi natyra,
shpirti më i ngjyrtë që preku bryma,
ecja më e bukur që ndërtoi hapi,
retina më e qashtër që njomi loti,
materien time ke hijeshu.

Si ta dizenjoj?
Asnjë atlas nuk e nxe,
s’ka hartë kund,
për këtë dashni që prindin mund!

ROJA I DRITËS
Ti kishe kaq qiell brenda teje,
sa dhe dielli bante ndejë n’tandin sy,
e drita xhelozohej kur fikej mramjeve,
horizontit ankohej,
se s’mundej me të ngja ty.
Kurdisur n’buzëqeshje
kraharori yt ende jep gurgullimë,
andrrës dhe zhgjandrrës të çajë thurjen e pezmët
të trishtimit tonë, mësyn.
Është larg, n’rini të përjetshme,
mbretërinë e Askundit lyen me bojë njeriu,
i pakorruptueshmi shpirt,
i papërlyemi kurm,
e pavramja ndjenjë,
xeherore qe s’e prek kush thellimave,
ekzistencë diku, gega im,
“the terrible beauty”* në më t’gjatin mërgim.
Ti dashuria që ecje,
ti buzëqeshja baretëse,
ti i thikti rrezatim mirësie,
kushedi në ç’mors lexon tani,
vajin tonë që lutet për kthim.
Ti roja i dritës,
përgjon errëtitë që aviten të na nxijnë,
të na derdhin mjerim.
Tani shkel në dhera të pastra,
e ëndrrash të qashtra shtigjesh nget,
ti nezra e përjetshme,
nuk fikesh si kandil,
as flakë qiriri topitur erës,
shembëllim i largët i një ylli kushediku,
tatuazh i shpirtit mbet…

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA