Megjithëse nuk e artikulon prerë formimin e një partie politike Rudina Hajdari e shikon krijimin e çdo forumi të ri politik, si një hapësirë më shumë, për demokratizimin e politikës, të cilën ajo e vlerëson si dekadente.

“Është e kuptueshme se Shqiptarët janë tejet të lodhur e të shqetësuar nga kjo politikë e mërzitshme dhe e dëmshme 28 vjeçare prandaj krijimi i një alternative të re, të vërtetë dhe shpresëdhënëse që ka për qëllim interesin publik, përfaqësimin qytetar dhe një politik-bërje të re me standarde perëndimore do të ishte një iniciativë për t’u gëzuar”, shkruan ajo.

Rudina Hajdari e vë theksin tek nevoja e “një elitë e re politike” sipas një formule të përshtatshme përfaqësimi politik.

“Deputetët dhe të zgjedhurit t’i caktojnë qytetarët dhe jo kryetarët e partive. Ka shumë modele që mund ta realizojnë këtë qëllim, që nga sistemi i pastër mazhoritar, e deri tek ai proporcional kombëtar me lista të hapura nëpërmjet të cilave shpresojmë të nxjerrim jashtë të gjithë elementët e korruptuar që vijnë nga bota e krimit, që me drejtimin e mazhorancës qeverisëse, e kanë futur vendin në një drejtim pa shpresë dhe të ardhme”, shton ajo.

Këto përpjekje të deputetes Rudina Hajdari për të krijuar një parti të re politike shihen në këndvështrime të ndryshme nga analistët Aleksandër Cipa dhe Roland Lami.

“Duket si një përpjekje e sforcuar në nxitim e sipër ku më shumë i intereson të japë një mesazh pozitiv tek një pjesë e ndërkombëtarëve që kërkojnë zhvillimin e zgjedhjeve brenda afatit ligjor dhe një kornize kushtetuese dhe të shpresojë të kapë një vakum që ndoshta me mungesën e opozitës në zgjedhje mund ta organizojë ajo se sa shoh në subjekt politik të mirëmenduar me një program të caktuar me figura të spikatura dhe lloj përfaqësimi në elektorat”, shprehet Roland Lami.

“Është një risi. Risi e munguar të paktën në 10 vitet e fundit më politikën shqiptarë. Pas krizës që vetëshpalli lidershipi tradicional politik me vendim e opozitës për të dalë nga parlamenti kemi një situatë të re që edhe rrezikon vete lidershipin. Me këtë nënkuptoj ‘status quo’ që ka krijuar ky lidership në drejtimin e partive tradicionale të vendit. Është një nismë që paraprakisht duhet të rregullojë modalitet e përfaqësimit pra që do të thotë të meritojë përfaqësimin”, tha Aleksandër Cipa.

Por çfarë dëmi mund t’i krijoj PD një hap i tillë i Rudina Hajdarit që gëzon edhe mbështetjen e Astrit Patozit?

“Në kushtet ku është momentale që është mendoj se nuk krijon ndonjë dëmtim për shkak se nuk shoh se çfarë e diferencon zonjën Hajdari në raport me PD në kuptimin e problematikave që ka vendi sot. Topalli, Imami, Patozi, Bregu, etj, mund të kenë ndonjë tundim per ta shfrytëzuar këtë moment ku është e pozicionuar PD, por në krahun tjetër peshon shumë fakti historik që partitë që kanë rrjedhur në forme fraksionesh brenda partive të mëdha nuk kanë pasur sukses”, tha Roland Lami.

“Mendoj se nuk e dëmton nëse nuk formësohet si një mendim ndryshe nëse nuk strukturohet si një lëvizje qe respekton pluraritetin brenda një force politike me një elektorat të përcaktuar dhe nëse nuk rregullon përfaqësimin meritokratik brenda partisë”, u shpreh Aleksandër Cipa.

Bërja realitet e një partie politike nga Rudina Hajdari sipas analistit Roland Lami nuk do ta mbajë në pasivitet Lulzim Bashën, i cili detyrimisht do të tentojë për të forcuar radhët e krijuar kohezion do ti rikthehet kritikëve dhe të pakënaqurve që të mos kenë mundësi të lëvizin në krahun tjetër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA