Ish-presidenti Bujar Nishani foli për një sërë çështjesh gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejt me emisionin “Open” të Eni Vasilit mbrëmjen e kësaj të hëne në ekranin e Top Channel. Ai u pyet mbi zhvillimet e fundit politike në vend, krizën mes qeverisë dhe opozitës, partinë e re që po lind, por edhe komentet e ndërkombëtarëve.

Pikërisht për këtë të fundit, i pyetur nga moderatorja Eni Vasili sesi i komenton ai deklaratat e zv.ambasadores amerikane në Shqipëri për zgjedhjet e 30 qershorit, duke dalë njëkohësisht edhe kundër qëndrimit të opozitës për një bojkot të mundshëm apo pamundësim të zhvillimit të tyre, Nishani tha:

“Deklaratat e përfaqësuesve diplomatik në Shqipëri nuk duhen komentuar. Por ato nuk kanë qenë kundër Partisë Demokratike”. Më pas ai solli në vëmendje edhe shkrimet e Zërit të Amerikës, për ato që i quan “fakte të manipulimit” të zgjedhjeve nga qeveria e Edi Ramës.

“Keni Zërin e Amerikës, që është zëri i Kongresit amerikan, që ka folur dhe ka publikuar fakte nga manipulimi i zgjedhjeve në Shqipëri”, tha Nishani, edhe pse nga studio e emisionit u kundërshtua nga gazetari Enton Abilekaj, i cili tha se ato të Zërit të Amerikës ishin thjesht shkrime dhe jo komente ndërkombëtarësh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA