Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin që ka të bëjë me vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, apo i thënë shkurt “vettingun” në polici.
Ai e shoqëron mosdekretimin e këtij ligji edhe me arsyet përkatëse. Sipas presidentit, “konstatohet se ky ligj cënon parimet dhe standardet e vendosura në ligjin ekzistues nr.12/2018”.
“Ndryshimet e miratuara me këtë ligj nuk krijojnë garancitë e nevojshme se një proces kaq i rëndësishëm si vlerësimi kalimtar i punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës, do të realizohet në kohën e duhur, me objektivitet dhe paanshmëri, duke bërë hapa pas në raport me standartet e ligjit në fuqi”, argumenton Presidenti Meta.
Në bindje të Kushtetutës dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, Presidenti i Republikës ka vendosur që ligji nr. 20/2019 duhet kthyer në Kuvend, me qëllim rishikimin e tij, mbështetur në këto argumente:
Së pari, dispozitat e ligjit nr.20/2019, cenojnë standardet e vendosura dhe pavarësinë e procesit të vlerësimit kalimtar të parashikuar me ligjin nr. 12/2018, si dhe krijon terren që ky proces të ketë ndikim politik. Mekanizmi i ri i miratuar në ligjin nr. 20/2019, sipas të cilit punonjësit e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) do të kryejnë vlerësimin kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës në fazën e dytë dhe të tretë, nuk garanton standardin e vendosur për realizimin e këtij procesi me objektivitet, pavarësi dhe paanshmëri.
“Ka rezultuar se, për hartimin dhe miratimin e këtij ligji kanë bashkëpunuar të gjitha forcat politike në Kuvendin e Shqipërisë si pozita, ashtu edhe opozita. Ky ligj është votuar me 88 vota pro, 1 kundër dhe 32 deputetë kanë abstenuar, duke reflektuar kështu një terren bashkëpunues dhe jo kundërshtues midis forcave politike në Kuvendin e Shqipërisë”, shkruhet në arsyetim.
Më tej, presidenti thotë se “këto ndryshime në ligj krijojnë bindjen se, qëllimi real i qeverisë në ndërmarrjen e kësaj nisme ligjore nuk është zvogëlimin i kostove financiare për realizimin e këtij procesi, por vullnet i shprehur i saj, për ta kontrolluar këtë proces nëpërmjet një strukture vlerësuese në varësi të saj, siç është Shërbimi i Çëshjeve të Brendshme dhe Ankesave, strukturë aktuale kjo drejtëpëdrejt në varësi të funksionit politik të Ministrit të Brendshëm, pra të qeverisë.Argumenti i Këshillit të Ministrave se ky mekanizëm i ri garanton të njëjtin standard për të gjithë procesin, pasi punonjësit e SHÇBA-së do t’i nënshtrohen të njëjtit proces në fazë të parë dhe se nuk ndryshojnë kriteret dhe procedurat e vlerësimit, nuk qëndron ligjërisht”.
Presidenti i Republikës, referuar argumenteve të parashtruar me sipër, vlerëson se ligji nr. 20/2019, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme””, nuk mund të dekretohet me shpallje, por i duhet kthyer Kuvendit për rishqyrtim me qëllim rivlerësimin e qëndrimit ndaj kësaj çështjeje me rëndësi të lartë publike.
Së dyti, ligji nr. 20/2019, eleminon detyrimin ligjor për të përfunduar procesin e vlerësimit kalimtar brenda një afati të caktuar, duke krijuar kështu mundësinë e zgjatjes së tij pa afat dhe një terreni të përshtatshëm për mbajtjen nën presion të vazhduar të forcave policore nëpërmjet forcës ndëshkuese të mekanizmit të vlerësimit kalimtar (vetting-ut) nga struktura e SHÇBA-së.
Top Channel