Dëmshpërblimet e luftës janë mbyllur. Krisafi: Greqia mund të hapë precedent me kërkesën ndaj Gjermanisë

19/04/2019 20:01

Çështja e 18 shteteve që kanë vuajtur nga pushtimi nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore konsiderohet e mbyllur. Sipas ekspertëve të çështjeve ndërkombëtare, dëmshpërblimet varen nga situata të caktuara politike.

Kërkesën e Parlamentit grek kundrejt Gjermanisë për të paguar miliarda euro dëmshpërmblim, Ksenofon Krisafi e shikon problem për palën gjermane, pasi do të krijonte një precedent i cili do të hapte “thesin” e këtyre çështjeve.

“Ka kaluar shumë kohë, edhe nga pikëpamja juridike edhe nga pikëpamja politike të hapësh gjëra të tilla tani do të thotë të ecësh kundër sensit të zhvillimeve politike aktuale”, deklaroi Krisafi.

Në fund të Luftës së Dytë Botërore, kërkesat për shpërblim lufte u shqyrtuan në një Konferencë të Posaçme në Paris, ku edhe Shqipëria mori një vlerë, por jo të konsiderueshme.

“Shqipëria ka marrë rreth 1 milion e ca dollarë dhe po kaq vlera të ndryshme, pajisje të ndryshme e gjithashtu një vapor që mbante emrin Borova në përkujtim të masakrës që nazistët bënë”, kujton Krisafi.

Çështja u rikthye në vitin 1975 nga pala shqiptare, ku kërkonim 2.6 miliardë dollarë dëmshpërblim.

“Gjermanët na i bënë të qartë, unë kam qenë pjesë e negociatave,na i bënë të qartë që nuk japin reparacione, por ju do të përfitoni padiskutim nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe një bashkëpunimi ekonomik-tregtar, gjë që u provua në praktikë”, thekson Krisafi.

Kërkesat për reparacione lufte kanë qenë të vazhdueshme nga Greqia dhe vende të tjera, si Polonia dhe Izraeli, të cilat kanë përfituar.

“Por, kjo ka ndodhur shumë përpara se sa të realizohej bashkimi i dy Gjermanive në tetor të vitit 1990 dhe në ato kohëra u përmbushën këto kërkesa në një sfond të caktuar politik”, shpjegon Krisafi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA