Kryeministri Rama tregoi sot se vizat nuk rikthehen pas vendimit të Parlamentit të Holandës. Me besimin se Bashkimi Europian nuk do ta lejojë që kjo të ndodhë, Rama tha se vendimi ishte pjesë e luftës së brendshme politike në Holandë dhe pasojë e politikës antiemigracion dhe antizgjerim ndaj BE-së.

“Shqiptarët janë zgjedhur nga disa parti në atë vend si një kokë turku për retorikën agresive izolacioniste në raport me zhvillimet përtej kufijve të Holandës. Është një vendim thjesht dhe vetëm politik, në vazhdën e një procesi elektoral në një vend si Holanda. Një lojë e brendshme në një dinamikë të brendshme, që ka përcaktuar një vendim për interesa të brendshëm dhe që nuk impakton asesi, në asnjë mënyrë lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë. Zero!”.

Ky ishte vlerësimi i kryeministrit Edi Rama për votën “pro” në Parlamentin e Holandës për kthimin e vizave shqiptarëve. Atyre të cilët fërkuan duart për këtë vendim, Edi Rama u tha se ngritën një festë absurde, fyese dhe përbuzëse nga shqiptarët në oborrin e opozitës.

“Ajo që është e pagëlltitshme është festa në Tiranë e atyre që, për shkak se janë të dominuar nga urrejtja, kanë humbur logjikën; për shkak se janë të dominuar nga dëshpërimi, kanë humbur pikat e referimit te disa vlera, të cilat politika shqiptare edhe në ditët e veta më të zeza, gjithsesi i ka ruajtur instiktivisht kur ka qenë fjala për një temë kaq të madhe, sa ç’është tema e integrimit europian të Shqipërisë”, tha kryeministri Rama.

Edi Rama ia përsëriti opozitës refrenin e tij të preferuar për ta harruar rotacionin politik jashtë zgjedhjeve.

“Qeverisë nuk kanë çfarë i bëjnë. Kjo është më e pakta. Nuk kanë çfarë i bëjnë, nuk e ndryshojnë dot qeverinë me kapsolla, apo duke kënduar hymnin stonato. Nuk ndryshohet dot. Sado stonato ta këndojë hymnin kombëtar, qeveria nuk lëviz. Nuk e ndryshojnë dot qeverinë duke kërcënuar, shantazhuar, penguar dhe bllokuar. Nuk e ndryshojnë dot shumicën në këtë Parlament, s’kanë sesi, është e pamundur. Edhe sikur të arrijnë të futen këtu, e të fillojnë edhe këtu të këndojnë këngë patriotike, nuk e ndryshojnë dot”, u shpreh Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA