“Komisioni Europian është në dijeni për votimin e Parlamentit holandez për të pezulluar udhëtimin pa viza me Shqipërinë, por nuk ka marrë asnjë kërkesë për pezullim”.
Pohimin e bëri zëdhënësja koordinuese e tij në një prononcim për mediet.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, në Parlamentin e Holandës u mbajt të martën votimi mbi këtë çështje dhe me 92 vota, nga 150 që janë gjithsej, ligjvënësit atje vendosën t’i kërkojnë Komisionit që të pezullohet udhëtimi pa viza me Shqipërinë.
Natasha Bertaud sqaroi se Komisioni është në dijeni të mocionit. “Por, ekziston një procedurë specifike mbi mekanizmin e pezullimit të vizave, e deri më sot nuk kemi marrë asnjë njoftim nga asnjë shtet anëtar që kërkon një gjë të tillë”, u shpreh ajo.
Sipas disa njoftimeve, ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok ka pohuar në sallë përpara votimit se nuk planifikon ta bindë Brukselin të rikthejë regjimin e vizave për shqiptarët. Si arsye përse u kërkua një masë e tillë u përmend veprimtaria e grupeve kriminale të lidhura me Shqipërinë. Liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë hyri në fuqi dhjetorin e vitit 2010.
Top Channel