Ralf Gjoni është bërë tashmë pjesë e jetës parlamentare. Në këto javë të fundit kemi parë deputetët e opozitës të flasin si individë për çështje të ndryshme. Ndaj lind pyetja, a do të jenë ende individë si ligjvënës, apo do të grupohen për të pasur një lloj unifikimi?
“Unë besoj se do të jemi të detyruar eventualisht që të organizohemi në formatin e grupeve parlamentare, me qëllim ushtrimin më dinjitoz dhe më profesional të aktivitetit tonë në Kuvend. Qytetarët meritojnë të informohen për këtë aspekt. Ne kemi biseduar patjetër, që në fillim”, tha Gjoni.
Sa i përket emrit sesi do të mund të quhej ky grupim i ri opozitar, deputeti Gjoni solli shembullin e Britanisë së Madhe ku ka grupe “kauzale”.
“Së fundmi është krijuar një grup i ri parlamentar me 7 deputetë të Partisë Laburiste dhe 3 konservatorë, që u shkëputën nga partitë e tyre respektive për të krijuar grupin e ‘të pavarurve’ për t’i shërbyer kauzës kundër Brexit-it në kontekstin aktual”, shpjegoi Gjoni.
Kjo tregon se deputetët e rinj po punojnë në frymë dhe përmbajtje për të krijuar një nocion të ri të opozitës në strukturën institucionale të Parlamentit, në atë që deputeti i ardhur nga listat e LSI-së thotë se do ta kenë të detyrueshme, nëse:
“Të them të drejtën, nuk e fsheh që kam pritur deri më sot që LSI-ja të bëhej e gjallë dhe qartësonte vendimin e saj për sa i përket anëtarësisë sonë, jo vetëm si anëtarë të partisë, por edhe të Komitetit Drejtues Kombëtar. Për sa kohë që LSI-ja nuk reagon zyrtarisht sesi i cilëson deputetët e listave të saj në Kuvend, atëherë ne do të jemi të detyruar që të marrim shkas nga kjo mungesë komunikimi nga LSI, për të avancuar me krijimin e grupeve respektive parlamentare”, tha Gjoni.
Por, veprimi i deputetëve të rinj nuk do të jetë i menjëhershëm, jo tani.
“Ne do të presim edhe pak të shohim se kush do të hyjë tjetër në Parlament. Numrat nuk janë mbushur ende, kështu që ka ende karrige bosh. Të presim nëse ka deputetë të rinj që do t’i bashkëngjiten grupit tonë opozitar në Parlament, e pastaj, në varësi të rrethanave të brendshme, por edhe të vullnetit të secilit deputet do të krijojmë grupin parlamentar”.
Deputetët presin, por a kanë informacione nga partitë e tyre respektive, nëse do të plotësohet numri 140 në Kuvendin e Shqipërisë?
“Jo nuk e kam këtë informacion dhe nuk jam marrë fare me emra të mundshëm që mund të hyjnë në Kuvend, sepse nuk është në tagrin tim dhe nuk më takon”.
Para seancës së betimit, Ralf Gjoni tha se ishte konsultuar edhe me ndërkombëtarët, të cilët e kishin mbështetur në vendimin e tij për t’u futur në Kuvendin e Shqipërisë si deputet. A vazhdojnë kontaktet me ndërkombëtarët dhe çfarë mendojnë ata për rolin jo vetëm individual por edhe të opozitës në tërësi?
“Ndërkombëtarët është term i përgjithshëm. Me ambasadorët kemi punuar prej vitesh, kështu që kontakte çdo deputet mund të ketë me çdo faktor ndërkombëtar. Unë kam kontaktet e mia personale, si koleg deputet, me vende respektive të Bashkimit Europian, në Britaninë e Madhe, në Shtetet e Bashkuara. Patjetër që ata inkurajojnë rrugën institucionale të zgjidhjes së problemeve politike dhe ngërçit politik. Por nuk janë vendimtarë ata në vendin tonë, këtë duhet ta theksojmë”, tha Gjoni.
Më 30 qershor do të mbahen zgjedhjet lokale. Çfarë mendon deputeti Gjoni për to, a do të zhvillohen dhe cili do të jetë roli i tij personal si deputet i opozitës brenda Parlamentit?
“Çdo demokraci kërkon që zgjedhjet të zhvillohen brenda afateve kushtetuese. Jam pro zgjedhjeve në parim, por nëse para zgjedhjeve lokale do të gjendet akordi jo vetëm mes deputetëve në Parlament, por edhe nga partitë politike jashtë tij, që të mblidhemi rreth një tryeze për një pakt kombëtar për ndryshimin e sistemit zgjedhor, atëherë nuk është ndonjë hata e madhe nëse zgjedhjet shtyhen për më vonë, për t’iu mundësuar të gjithëve përgatitjen”, tha Gjoni.
Zoti Ralf Gjoni u kujdes të theksonte se jo konsensusi, por kompromisi politik, duke lënë mënjanë marrëveshjet e fshehta, mund të shtyjnë zgjedhjet. “Nuk do të isha asnjëherë në favor të një pakti të fshehtë Rama-Basha, nën tavolinë siç është bërë deri më sot. Një pakt i fshehtë ku përjashtohen parti të tjera ekstraparlamentare apo edhe deputetë të Parlamentit do i bënte keq vendit dhe do ta dëmtonte Shqipërinë e jetën e shqiptarëve”, tha ai duke iu referuar marrëveshjes së 17 majit.
I pyetur gjithashtu nëse do të bëhej pjesë e Partisë Socialiste nëse ftohet në grupin e saj parlamentar, Gjoni u shpreh se nuk ka votuar ndonjëherë për PS-në, është në opozitë me PS-në dhe s’ka arsye të bëhet pjesë e saj.
Top Channel