Ralf Gjoni është një prej firmëtarëve të kërkesës për interpelancë me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, që pritet të zhvillohet këtë të enjte në seancën plenare të Kuvendit. I ftuar në “Top Talk” nga gazetari Denis Dyrnjaja, ai dha edhe opinionin e tij për grabitjen e Rinasit.
Gjoni tha se beson që seanca e së enjtes të hapet me interpelancën me ministrin e Brendshëm, zotin Lleshaj, duke mos e vënë në dyshim pranimin e kërkesës nga Kuvendi, sepse siç shprehet, firmëtarët e asaj kërkese besojnë fort që Kuvendi duhet të rrisë nivelin e kërkimit të llogarisë ndaj ekzekutivit.
“Në këtë kuadër, por edhe duke marrë parasysh përmasat gjigante të grabitjes spektakolare dhe të habitshme në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë, jemi të detyruar që t’i kërkojmë llogari ministrit në emër të Kuvendit, për çfarë është bërë deri më sot dhe çfarë planifikohet të bëhet për të garantuar sigurinë kombëtare dhe jetën e qytetarëve shqiptarë dhe të huaj, që qarkullojnë brenda dhe jashtë atij aeroporti”, tha Gjonaj.
Por çfarë mendon personalisht Gjonaj për grabitjen e Rinasit? Sipas tij, ka cënim të rëndë të sigurisë kombëtare.
“Besoj dhe e kam shprehur që është një cënim i rëndë i sigurisë kombëtare, sepse shteti në fund të fundit dy shtylla themeltare ka: të mbrojë territorin e tij dhe jetët e qytetarëve të tij. Në këtë kontekst është cënuar edhe siguria territoriale, sepse kemi të bëjmë edhe me një pikë kufitare ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë, ku një grup kriminelësh kanë hyrë të armatosur dhe për 4 minuta u gjendën poshtë avionit të mbushur me pasagjerë, duke cënuar edhe jetët e tyre, për të realizuar atë grabitje të një shume masive valute të huaj e për të dalë nga aeroporti të pacënuar. Kjo tregon qartazi që ka një rënie të masave të sigurisë, jo vetëm nga aeroporti, por edhe nga kërkesa e llogarisë dhe monitorimit që i është bërë nga shteti koncesionarit që duhej të garantonte sigurinë brenda perimetrit të aeroportit. Krimi nuk fillon nga prerja e telave të derës, por që me paramendimin dhe parapërgatitjen për të kryer një krim brenda territorit të aeroportit. Për pjesën jashtë aeroportit, përgjegjësia i takon institucioneve të shtetit që janë garante për sigurinë e qytetarëve”, shpjegoi Ralf Gjoni.
Top Channel